Deputeti dhe eksponenti i lartë i VLEN-it, Adnan Azizi ka reaguar pas publikimit të disa SMS-ve në të cilat pretendohet se ai u ka kërkuar aktivistëve të mos vendosin flamujt shqiptarë në hapësirat publike.
Azizi i ka cilësuar këto mesazhe si shpifje të porositura nga opozita, duke mohuar çdo përpjekje për të penguar vendosjen e flamurit kombëtar.
“Shpifjet e UDB-së nuk e ulin flamurin shqiptar – vetëm zbulojnë frikën dhe dëshpërimin e opozitës! Këto shpifje të ulëta flasin qartë për gjendjen aktuale të opozitës: të zhytur në llum, pa ide, pa vizion, pa projekt. Vetëm shpifje, gënjeshtra dhe montazhe. Flamuri kombëtar do të valojë si gjithmonë dhe nuk ka kush e prek”, ka thënë Azizi.
Ai gjithashtu ka ftuar qytetarët që ta ngritin lart flamurin shqiptar, duke theksuar se ai do të vendoset edhe në institucionet shtetërore dhe lokale, aty ku parashihet me ligj.
“Ju ftoj ta ngritni shqipen lart, me krenari, ashtu siç do të ngritët në të gjitha institucionet shtetërore dhe lokale ku e parashikon ligji”, ka theksuar Azizi.
