Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se bullgarët duhet të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.Ai tha se për këtë çështje nuk ka më arsye për mospajtime mes Shkupit dhe Sofjes.
Në një intervistë për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT), Rama tha se përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë buron nga marrëveshja mes dy vendeve, e arritur me ndërmjetësimin francez.
I pyetur nëse vazhdon të ketë mospajtime me udhëheqjen bullgare, Rama u përgjigj se rrethanat e para tre viteve kanë qenë ndryshe.
„Mendoj se tani nuk ka arsye për mospajtim, sepse nevoja që pakica bullgare të përfshihet në Kushtetutën e Maqedonisë është plotësisht e qartë. Kjo doli nga marrëveshja mes dy vendeve“, deklaroi Rama.
Ndryshimet kushtetuese, që parashikojnë përfshirjen e bullgarëve mes bashkësive të njohura në Kushtetutë, janë pjesë e kompromisit të vitit 2022 për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
