Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka paralajmëruar se demonstratat në Prishtinë mund të vazhdojnë gjatë javëve të ardhshme, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin tubimet e mëdha.
Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, protestuesit pritet të mblidhen kryesisht në qendër të kryeqytetit, ndërsa demonstratat mund të përhapen me shpejtësi edhe në zonat përreth, pa paralajmërim paraprak.
Ambasada ka tërhequr vëmendjen se tubimet, edhe kur fillojnë në mënyrë paqësore, mund të përshkallëzohen papritur dhe të shkaktojnë pengesa në qarkullim, ndërprerje të shërbimeve dhe mbyllje të rrugëve.
“Demonstratat dhe tubimet e mëdha mund të fillojnë në mënyrë paqësore, por mund të përshkallëzohen shpejt pa paralajmërim, duke prishur trafikun, shërbimet dhe ndonjëherë duke çuar në mbyllje rrugësh”, thuhet në njoftim.
Sipas Ambasadës, në orët para dhe gjatë protestave mund të ketë prani të shtuar të policisë, devijime të qarkullimit dhe kufizime të lëvizjes në pjesë të caktuara të qytetit.
Personelit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë i është këshilluar që të shmangë demonstratat dhe tubimet e mëdha.
Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i japin përparësi sigurisë personale dhe të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat.
“Prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh, devijime dhe ndërprerje të trafikut mund të priten në orët para dhe gjatë demonstratave. Nëse ndodheni në afërsi të një demonstrate, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe i jepni përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe faqen e internetit të Ambasadës për informacionet më të fundit”, thuhet në njoftim.
Në njoftim nuk janë specifikuar organizatorët e protestave apo datat e tubimeve të ardhshme.
