Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicionit ka paraqitur interpelancë ndaj ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, për shkak të veprimtarisë së tij politike, të cilën e konsideron në kundërshtim me interesat kombëtare dhe strategjike të Maqedonisë, lidhjeve me struktura të inteligjencës serbe, promovimit të agjendave ruse dhe kineze, përhapjes së fyerjeve dhe kërcënimeve, si dhe madhërimit të kriminelëve të dënuar të luftës.
Deputeti i LSDM-së, Mitko Trajçuleski, në konferencën e sotme për media theksoi se Stoilkoviqi është një nga ekzekutuesit e Vuçiqit brenda Qeverisë së Mickoskit, i cili, në vend që të përfaqësojë interesat e qytetarëve të Maqedonisë, promovon politika që minojnë orientimin euroatlantik të shtetit.
“Është koha për përgjegjësi politike të njërit prej ekzekutuesve të Vuçiqit, të agjendave kineze dhe ruse, për përhapjen e urrejtjes dhe madhërimin e kriminelëve të luftës”, deklaroi Trajçuleski.
Trajçuleski theksoi se veçanërisht shqetësuese janë lidhjet e Stoilkoviqit me strukturat e inteligjencës serbe, si dhe paraqitjet dhe aktivitetet e tij publike të ndërlidhura me Rusinë, të cilat ngrenë pikëpyetje serioze se interesat e kujt përfaqëson ai si anëtar i Qeverisë së Maqedonisë.
“Lidhjet e tij me strukturat e inteligjencës serbe dhe paraqitjet e aktivitetet e tij publike të lidhura me Rusinë shtrojnë një pyetje serioze: interesat e kujt i përfaqëson ai si anëtar i Qeverisë së Maqedonisë?”, tha Trajçuleski.
Ai rikujtoi se Maqedonia është anëtare e NATO-s dhe se politika e saj e jashtme është e harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, promovimi i agjendave të kundërta gjeopolitike dëmton drejtpërdrejt interesat shtetërore dhe minon besimin e aleatëve.
“Promovimi i agjendave të kundërta gjeopolitike e minon besimin e aleatëve dhe u shkakton dëme interesave tona kombëtare”, deklaroi Trajçuleski.
Në interpelancë shtrohet gjithashtu çështja e udhëtimit të Stoilkoviqit në Kinë dhe pjesëmarrjes së tij në delegacionin e SNS-së dhe të Vuçiqit, si dhe e përmbajtjeve në të cilat madhërohet Ratko Mladiqi, i dënuar për gjenocid.
Trajçuleski vuri në dukje se madhërimi i kriminelëve të dënuar të luftës dhe relativizimi i krimeve të luftës janë të papranueshme për një bartës të funksionit publik, veçanërisht në një shtet anëtar të NATO-s.
“Njerëzit që madhërojnë kriminelë të dënuar të luftës dhe relativizojnë krimet e luftës nuk duhet dhe nuk guxojnë të ushtrojnë funksione publike. Aq më tepër kur në rastin konkret bëhet fjalë edhe për vepër penale sipas Kodit Penal, që ka të bëjë me miratimin ose arsyetimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit apo krimeve të luftës”, deklaroi Trajçuleski.
Për më tepër, interpelanca ka të bëjë edhe me sharjet, fyerjet dhe kërcënimet që Stoilkoviqi ua drejtoi deputetëve të opozitës në Kuvend, përfshirë edhe vetë Trajçuleskin, Fatmir Bytyqin dhe deputeten Arbana Pasholli.
“Ministri ka obligim të përgjigjet para Kuvendit dhe të pranojë kritikat parlamentare. Kur pyetjeve dhe kritikave të parashtruara u përgjigjet me kërcënime, ai shkel dinjitetin e institucionit dhe dëshmon se nuk është i denjë për funksionin që ushtron”, tha Trajçuleski.
Ai shtoi se për këtë sjellje Stoilkoviqi asnjëherë nuk është thirrur në përgjegjësi dhe as nuk ka kërkuar falje personalisht. Prandaj, përgjegjësia duhet të përcaktohet në Kuvend, ndërsa Mickoski nuk mund të fshihet pas ministrit të tij.
“Stoilkoviqi është pjesë e atij sistemi. Mickoski e emëroi, e mbajti në detyrë dhe e mbron politikisht. Me këtë interpelancë kërkojmë përgjegjësi politike dhe një përgjigje të qartë nga shumica parlamentare: a do ta mbrojnë dinjitetin e Kuvendit dhe interesat shtetërore apo do ta mbrojnë Stoilkoviqin?”, deklaroi Trajçuleski.
