www.telegrami.mk
Çështja nuk është se kryeministri Mickoski nuk duhet të udhëtojë për punë në Gjermani. Çështja është koha kur ai vendos të largohet nga vendi.
Kur një parti e kryeministrit është në garë zgjedhore në një komunë, sidomos në prag të raundit të dytë, prania e tij në vend ka edhe rëndësi politike, edhe simbolike.
Nëse raundi i parë ishte caktuar më 18 tetor dhe i dyti më 1 nëntor, atëherë kalendari zgjedhor ka qenë i njohur paraprakisht. Prandaj është legjitime të shtrohet pyetja: pse ky udhëtim nuk u organizua të hënën ose më herët?
Por ka edhe një element tjetër që e bën situatën më interesante: më 30 tetor, vetëm një ditë para udhëtimit, Mickoski deklaronte se VMRO-DPMNE pret fitore në Bërvenicë me mbi 4.000 vota. Ndërsa më 25 tetor kishte marrë pjesë personalisht në aktivitetet parazgjedhore në këtë komunë.
Është e çuditshme që kryeministri Hristijan Mickoski zgjedh të largohet nga vendi për një vizitë pune në landin gjerman Nordrhein-Westfalen, pikërisht në fundjavën kur në Bërvenicë zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku partia e tij është drejtpërdrejt në garë.
Askush nuk e konteston rëndësinë e marrëdhënieve me Gjermaninë, por a ishte e pamundur që kjo vizitë të organizohej të hënën?
Datat e zgjedhjeve dihen prej muajsh. Pra, nuk kemi të bëjmë me ndonjë ngjarje të paparashikuar.
Kryeministri nuk është vetëm kryetar partie. Ai është bartës i përgjegjësisë për drejtimin e shtetit. Në një moment kaq të rëndësishëm zgjedhor, qytetarët presin që ai të jetë në vendin e tij.
Largimi i tij në këtë moment ngre pikëpyetje politike: A është aq e sigurt fitorja e kandidatit të tij, saqë nuk e sheh të nevojshme praninë e vet, apo po shmanget nga përgjegjësia politike në rast të humbjes?
Nuk po them se udhëtimi dëshmon ndonjë marrëveshje apo manipulim zgjedhor. Por koha e zgjedhur është politikisht e diskutueshme dhe meriton një shpjegim publik.
Shteti nuk është pronë e partisë, ndërsa posti i kryeministrit nuk është funksion që ushtrohet vetëm kur i përshtatet kalendarit partiak.
Mickoski e ka ditur kalendarin zgjedhor dhe megjithatë ka zgjedhur këtë fundjavë për udhëtim.
Kjo është një çështje e përgjegjësisë politike, e standardit institucional dhe e respektit ndaj qytetarëve.
www.telegrami.mk
P.S Kryeministri mbase di diçka që mendon se të tjerët nuk dijnë…fshati që duket nuk do kallauz
Mesut Shabani

