Fotografia familjare nga Samiti i Procesit të Berlinit në Mal të Zi ngjall reagime, pasi versioni i publikuar nga kryeministri shqiptar nuk përfshin liderët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një fotografi familjare nga Samiti i Procesit të Berlinit, që po mbahet në Shën Stefan të Malit të Zi, por në versionin e shpërndarë prej tij nuk shihen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Fotografia, e publikuar të enjten, më 22 tetor 2026, paraqet liderët pjesëmarrës në samit. Megjithatë, versioni i publikuar nga Rama është i prerë krahasuar me fotografinë e plotë familjare, duke lënë jashtë dy kryeministrat e vendeve fqinje.
Nuk dihet nëse prerja e fotografisë ka qenë e qëllimshme apo nëse ka ardhur si rezultat i përshtatjes së imazhit për publikim në rrjetet sociale.Ndryshe nga Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar fotografinë e plotë, në të cilën shihen të gjithë liderët pjesëmarrës, përfshirë edhe kryeministrin shqiptar.
Publikimi i fotografisë nga Rama ka nxitur reagime në rrjetet sociale, ku dhjetëra komentues e kanë kritikuar për lënien jashtë të Kurtit dhe Mickoskit, duke e interpretuar këtë veprim si një gjest të papërshtatshëm. Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna që sqarojnë arsyen e prerjes së fotografisë.
Në Samitin e Procesit të Berlinit, krahas kancelarit gjerman Friedrich Merz, janë mbledhur liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe udhëheqës të vendeve të tjera evropiane që marrin pjesë në këtë nismë.
Takimi në Shën Stefan ka në fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Samiti shënon gjithashtu përmbylljen e kryesimit të Malit të Zi të Procesit të Berlinit për vitin 2026.
