Masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit të dytë në rastin “Lotaria Shtetërore”, Artan Grubit, është hequr në bazë të ligjit, njoftoi sot Gjykata Themelore Penale e Shkupit.Sipas njoftimit të gjykatës, në përputhje me nenin 470 të Kodit të Procedurës Penale (KPP), masa e paraburgimit, përkatësisht e arrestit shtëpiak, pas ngritjes së aktakuzës nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë. Duke qenë se aktakuza është ngritur më 13 gusht 2026, Këshilli Penal ka marrë vendim për heqjen e masës, për shkak të skadimit të afatit ligjor.
Gjykata Penale njoftoi se, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike, ndaj Grubit janë caktuar masa të tjera kujdesi, përkatësisht ndalimi i largimit nga vendbanimi, detyrimi për t’u paraqitur periodikisht në gjykatë, si dhe ndalimi i afrimit dhe i kontaktit me persona të caktuar.
Gjykata bëri të ditur gjithashtu se ndaj të pandehurit mbetet në fuqi masa e konfiskimit të dokumentit të udhëtimit, si dhe ndalimi i lëshimit të një dokumenti të ri udhëtimi apo të ndonjë dokumenti tjetër që mundëson kalimin e kufirit shtetëror.
Këshilli Penal shqyrtoi edhe kërkesën e mbrojtjes për heqjen e kësaj mase, kundrejt ofrimit të një garancie. Megjithatë, pas mendimit negativ të prokurorisë kompetente, gjykata vendosi ta refuzojë kërkesën e mbrojtjes.
Artan Grubi akuzohet në rastin “Lotaria Shtetërore” për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar, për të cilën parashikohet dënim me burg nga një deri në pesë vjet. Ai është deklaruar i pafajshëm para gjykatës.Ish-zëvendëskryeministri u kthye në vend në shkurt të këtij viti, pasi për më shumë se 14 muaj kishte qenë i paarritshëm për organet e ndjekjes penale. Pas kthimit, ai u ndalua në pikën kufitare të Bllacës.
