Një re e madhe tymi ka mbuluar sot Tetovën, pasi një zjarr i fuqishëm përfshiu një varrezë makinash në qytet. Goma, akumulatorë dhe materiale plastike të automjeteve u përfshinë nga flakët, duke e vështirësuar ndjeshëm punën e zjarrfikësve, të cilët për orë të tëra luftuan me zjarrin. Për shkak të afërsisë me një pompë benzine, në terren u angazhuan edhe banorë të lagjes për të mbrojtur objektet përreth. Ndërkohë, Inspektorati Komunal i Mjedisit ka paralajmëruar analiza për ndotjen e shkaktuar nga zjarri dhe masa ndaj përgjegjësve.Goma makine, akumulator dhe plastika që përmban një makinë, janë përfshirë nga flakët sot në një varrezë makinash në qytetin e Tetovës.
Zjarrfikësit e qytetit kanë luftuar me flakët për orë të tëra, por shkaku i materialeve që digjen, ka qenë pothuajse e pamundur që zjarri të shuhet për kohë më të shkurtër.
Në fikjen e zjarrit janë kyçur edhe banorë të lagjes, për mbrojtur objektet për rreth, e sidomos një pompë benzine që rrezulton shumë afër vendit ku u përfshi nga zjarri varreza e makinave të vjetra.
AVNI AMETI – Shef i NJTKZ Tetovë “Ky është një zjarr i përmasave pak më të mëdha sepse brenda zjarrit digjen goma por edhe gjëra tjera që përmban një makinë. Kuptohet që kemi edhe shpërthime brenda zjarrit shkaku i akumulatorëve të ndryshëm që digjen në këtë varrezë makinash. Pompa e benzinës është e siguruar, sepse ka rreth saj zjarrfikës që vlerësojnë situatën por deri tani nuk ka rrezik”.
Në vendngjarje kishte dalë edhe inspektorati komunal i mjedisit jetësor, të cilët po hetonin për ndotjen e ambientit. Kanë paralajmëruar masa ndaj pronarëve.
ARMEND SALIHI – Shef i Inspektoratit Komunal “Ne si inspektorat komunal momentalisht jemi në vendngjarje ku ndodh zjarri dhe së bashku me inspektorët e ambientit do e inspektojmë nvendin dhe do bëjmë analizat nëse ka ndotje nga zjarri. Në fund pasi të marrim analizat e duhura do marrim masat e mëtejme në bazë të Ligjit”.
Në bazë të rekomandimeve të Inspektoratit por edhe të zjarrfikësve, shkaku i materialeve prej gome dhe me përmbajtje të tjera që digjen në këtë varrezë makinash, por edhe tymit të madh që po përhapet mbi Tetovë, rekomandohet që banorët e lagjes të mbajnë dritaret mbmyllur deri në pastrimin e ndotjes.TV KOHA
