BallinaLajme77 maqedonas dhe 12 shqiptarë! ASH reagon për diskriminimin në DAP

77 maqedonas dhe 12 shqiptarë! ASH reagon për diskriminimin në DAP

Aleanca për Shqiptarët ka ngritur shqetësimin për, siç thotë, përfaqësimin e ulët të shqiptarëve në Drejtorinë për të Ardhura Publike, duke bërë të ditur se nga 77 vende pune të plotësuara në konkursin e fundit të brendshëm, vetëm 12 u janë ndarë shqiptarëve.

Sipas ASH-së, kjo nuk është dukuri e izoluar, pasi trendi i njëjtë është përsëritur edhe në katër-pesë konkurset e fundit të brendshme të zhvilluara gjatë tri viteve të fundit. “Në këto konkurse, përfaqësimi i shqiptarëve është sjellë vazhdimisht rreth 10 deri në 15 për qind”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Nga kjo parti theksojnë se gjendje e ngjashme vërehet edhe në pozitat udhëheqëse të DAP-it. Sipas të dhënave të publikuara nga ASH-ja, nga gjithsej 70 drejtues në këtë institucion, vetëm nëntë janë shqiptarë.

“Në Drejtorinë Rajonale të Shkupit, të dyja pozitat kryesore mbahen nga pjesëtarë të komunitetit maqedonas”, shtohet në reagim.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se këto të dhëna kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi institucionale. Sipas partisë, shfuqizimi i Balancuesit, pa vendosjen e menjëhershme të një mekanizmi tjetër efektiv, ka krijuar boshllëk në monitorimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Arsyetimi se punësimet dhe avancimet nuk bëhen mbi bazë etnike nuk mjafton për të shpjeguar një rezultat që, sipas të dhënave të disponueshme, përsëritet në disa konkurse me radhë”, thekson ASH-ja.

Nga kjo parti u bëjnë thirrje institucioneve që t’i publikojnë të dhënat e plota dhe kriteret mbi të cilat janë bërë punësimet dhe avancimet në DAP. ASH-ja rikujton se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është parim kushtetues dhe duhet të garantohet në praktikë në çdo nivel të administratës publike.

“Prandaj, kërkohet përfundimi sa më i shpejtë i procedurës ligjore dhe vendosja e mekanizmave të qartë, të matshëm dhe transparentë, të cilët do të parandalojnë çdo formë të përjashtimit ose pabarazisë në institucionet shtetërore”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments