Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur hetim ndaj tetë personave, të dyshuar për kontrabandë cigaresh, tregti të paligjshme me barna, ryshfet, shmangie të akcizës dhe pastrim parash.Sipas Prokurorisë, grupi dyshohet se gjatë periudhës 2024–2026 ka futur cigare në vend duke shmangur kontrollet doganore. Në skemë dyshohet se ishte përfshirë edhe një doganier, i cili siguronte informacione për kontrollet dhe turnet në kufi, duke lehtësuar kalimin e mallrave.
Hetimi përfshin edhe tregtinë e paligjshme me sasi të mëdha barnash dhe preparatesh të ndryshme, të cilat dyshohet se importoheshin, ruheshin dhe shiteshin pa autorizimet përkatëse.
Gjatë kontrolleve në banesën e të dyshuarit kryesor janë gjetur 86.200 euro dhe 16 pllaka me ngjyrë ari të fshehura në dy kasaforta në tavan, ndërsa në automjetin e tij janë gjetur edhe 6.465 euro dhe 62.000 denarë. Në një kontroll të mëparshëm ishin sekuestruar edhe shuma të konsiderueshme në dollarë kanadezë e australianë dhe euro.
Prokuroria ka kërkuar paraburgim për tre të dyshuar dhe masa kujdesi për tre të tjerë, ndërsa dy persona aktualisht janë të pakapshëm për organet e ndjekjes.
