VENDIMI I 16 SHTATORIT-THIKË PAS SHPINE PAVARËSISË SË KOSOVËS
Reagimet e shumta në të katër anët e botës ndaj vendimit të 16 shtatorit, ka nxitur sajuesit dhe instrumentet e tyre të përpiqen të manipulojnë me opinionin publik, duke fshehur qëllimin e vërtetë të aktgjykimit: dënimin e luftës çlirimtare dhe pavarësinë e Kosovës.
Kështu prokurorja Kimberly West deklaroi se gjoja “ZPS-ja nuk ka ndjekur penalisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, as luftën e bërë për pavarësinë e Kosovës.” Bisht pas saj, publicistë, analistë dhe lloj-lloj individësh përpiqen të shesin gënjeshtrën e paketuar se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit vendosi përgjegjësi penale individuale dhe nuk e kriminalizon synimin për pavarësinë e Kosovës.
Le t’i marrim gjërat një nga një:
- Në pikën 75 të përmbledhjes së asaj që u lexua gjatë shqiptimit të aktgjykimit thuhet: “Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit dhe persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së, përfshirë ata që pretendohet se janë anëtarë të NKP-së, kishin dy objektiva: pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik dhe institucional mbi atë që shpresonin se do të ishte një Kosovë e pavarur. Këto objektiva synohej të realizoheshin me anë të mjeteve ushtarake, politike dhe të tjera. Trupi Gjykues nuk e gjykoi të nevojshme të përcaktonte nëse këto dy objektiva ishin, në vetvete, kriminale apo të paligjshme.”
Nuk e di nëse ndonjë trup tjetër gjykues do të dinte ta formulonte mohimin e jurisprudencës ndërkombëtare për çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe vendosjes së kontrollit politik, në mënyrë më perfide, sesa arsyetimi se “Trupi Gjykues nuk e gjykoi të nevojshme të përcaktonte nëse këto dy objektiva ishin, në vetvete, kriminale apo të paligjshme.”
Jurisprudenca ndërkombëtare rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës
Më 8 tetor 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën, përmes së cilës kërkoi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendim konsultativ lidhur me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Konkretisht, kësaj gjykate iu kërkua që t’i përgjigjej pyetjes: “A është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare shpallja e njëanshme e Pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës?”.
Të nesërmen, më 9 tetor, kërkesa iu dërgua kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND në vijim të tekstit) shpalli vendimin.
Fillimisht GJND-ja e shqyrtoi aktin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.
Në argumentimin e vet rreth kësaj çështjeje, GJND-ja solli faktet, se “shpalljet e pavarësive ishin të shpeshta gjatë shekujve XVIII, XIX dhe XX, të cilat shpesh u shoqëruan me reagime të ashpra të shteteve nga të cilat ndaheshin. Disa prej këtyre shpalljeve rezultuan me krijimin e shteteve të reja, ndërsa disa të tjera jo. Në përgjithësi, në praktikën e shteteve, shpallja e pavarësisë së një shteti nuk konsiderohet si shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Përkundrazi, nga praktika e shteteve të kësaj periudhe del qartazi, se e drejta ndërkombëtare nuk i ndaloi assesi shpalljet e pavarësive”.
Në të njëjtin paragraf, GJND-ja sjell shembullin e krijimit të shumë shteteve të reja gjatë periudhës së dytë të shekullit XX dhe thekson: “E drejta ndërkombëtare kishte ndryshuar shumë, sidomos në raport me vetëvendosjen e popujve të shtypur, të dominuar dhe të shfrytëzuar”.
Përveç këtyre rasteve, që lidhen me periudhën e antikolonializmit, GJND-ja përmend edhe faktin e krijimit të shteteve jashtë këtij konteksti historik. “Dhe nga tërë praktika e shteteve, nuk del një rregull e re e së drejtës ndërkombëtare, që do ta ndalonte shpalljen e pavarësisë”.
GJND-ja u përgjigjet edhe atyre që pohojnë, se gjoja “ndalimi i shpalljes së pavarësive përfshihet në parimin e integritetit territorial të shteteve”. Sa i përket kësaj çështjeje, GJND-ja theksoi se në rastet kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së i kishte dënuar shpalljet e pavarësive të vendeve të caktuara, “këtë e kishte bërë jo për arsye se ato ishin shpallur të pavarura në mënyrë të njëanshme, por për shkak të përdorimit të dhunës apo të shkeljeve të rënda të normave të së drejtës së përgjithshme ndërkombëtare”.
Pasi shqyrtoi të gjitha argumentet që kishin të bënin me këtë aspekt të kërkesës së shtruar në emër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe duke konstatuar se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmbante asnjë pengesë për të shpallur pavarësinë, GJND-ja shpalli përfundimin e vet: “deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e datës 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”.
Në vijim të vendimit të GJND-së, paragrafi 85-121, shqyrtohet përputhshmëria e aktit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe me Kornizën Kushtetuese të Kosovës.
GJND-ja përsëriti faktin, se Rezoluta 1244 përbënte bazën juridike të vendosjes në Kosovë të misionit civil ndërkombëtar, UNMIK-u, dhe atij të sigurisë, KFOR-i, që kishin për qëllim krijimin e kushteve të sigurisë së nevojshme, mbikëqyrjen e procesit të krijimit të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes autonome dhe demokratike, duke pritur një zgjidhje politike (Rezoluta 1244, paragrafi 11). Përmbajtja e Rezolutës 1244 dëshmon se Këshilli i Sigurimit nuk e përcaktonte statusin final të Kosovës dhe kjo rezolutë nuk përmbante asnjë pengesë për të shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.
Për këtë arsye, “gjykata doli në përfundimin, se rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit nuk paraqiste pengesë që autorët e deklaratës së 17 shkurtit 2008 ta shpallin Pavarësinë e Kosovës nga Republika e Serbisë dhe, rrjedhimisht, deklarata e pavarësisë nuk e ka shkelur rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”.
Në fund të vendimit të vet, GJND-ja trajton përputhshmërinë e aktit të shpalljes së Pavarësisë me Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Për këtë çështje, ajo sjell faktet e përmendura nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në raportin4 e tij, se “në zgjedhjet e 17 nëntorit 2007, të cilat u cilësuan nga të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë si të drejta dhe demokratike, Kosova krijoi institucionet e saj qendrore dhe lokale”.
Kuvendi i Kosovës, i krijuar në seancat e 4 dhe 9 janarit 2008, hodhi bazën legjitime dhe “autorët që shpallën Pavarësinë e Kosovës nuk e kanë shkelur Kornizën Kushtetuese të Kosovës”.
Pra, duke u mbështetur tek argumentet e trajtuara dhe të ekspozuara në 121 paragrafë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin e vet:
“Akti i miratimit të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare”.
Të vetëdijshëm se në disa raste që përmenden në vendimin e GJND-së Këshilli i Sigurimit i OKB-së i kishte dënuar shpalljet e pavarësive të vendeve të caktuara, “jo për arsye se ato ishin shpallur të pavarura në mënyrë të njëanshme, por për shkak të përdorimit të dhunës apo të shkeljeve të rënda të normave të së drejtës së përgjithshme ndërkombëtare”, në pikën 80 të përmbledhjes së asaj që u lexua gjatë shqiptimit të aktgjykimit thuhet:
Nuk janë qëllimet të cilat të akuzuarit u përpoqën të arrinin ato që i bënë veprimet e tyre kriminale. Janë mjetet me të cilat ata u përpoqën t’i realizonin ato qëllime, veçanërisht arrestimi, ndalimi, keqtrajtimi dhe vrasja sistematike e atyre që të akuzuarit i konsideronin apo i cilësonin si kundërshtarë.
Prandaj pretendimi i Çarls L. Smith III, Kryegjykatës, gjykatësit Kristof Barte, Ginel Metro, Fergal Gejnor dhe gjykatësve rezervë të Trupit Gjykues se gjoja “nuk e kanë parë të nevojshme të përcaktonin nëse qëllimi për pavarësinë e Kosovës ishte në vetvete kriminal apo i paligjshëm” është mohim i jurisprudencës ndërkombëtare rreth kësaj çështjeje dhe përpjekje për të krijuar precedent që mund të shërbejë për të dënuar shpalljet e pavarësisë së Kosovës, “për shkak të përdorimit të dhunës apo të shkeljeve të rënda të normave të së drejtës së përgjithshme ndërkombëtare”
Jurisprudenca ndërkombëtare rreth vendosjes së kontrollit politik
Çështja e vendosjes së kontrollit politik u shqyrtua në rastin e Këshillit Revolucionar të Forcave të Armatosura të Sierra Leones.
Me kërkesë të qeverisë së Sierra Leones, më 14 gusht 2000, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1315 për themelimin e Gjykatës Speciale, për të gjykuar krimet kundër njerëzimit dhe shkeljet e rënda të së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare, që ishin bërë në këtë shtet që nga muaji nëntor 1996.
Në aktakuzën kundër rebelëve të Këshillit Revolucionar të Forcave të Armatosura që përmbysën regjimin e presidentit Ahmad Tejan Kabbah, në vitin 1997, prokurori i cilësoi si “Ndërmarrje kriminale e përbashkët”, me arsyetim se “kanë dashur të vendosin pushtetin e tyre politik dhe kontrollin mbi tërë territorin e Sierra Leones, sidomos në zonat ku ishin minierat e diamantit”. Mirëpo, në aktvendimin përfundimtar, gjykata hodhi poshtë pretendimet e prokurorit për t’i cilësuar si pjesëtarë të një “Ndërmarrjeje kriminale të përbashkët” dhe solli vendimin se, “marrja e pushtetit politik dhe vendosja e kontrollit mbi tërë territorin e Sierra Leones, sidomos në zonat ku ishin minierat e diamantit, nuk përbën qëllim kriminal sipas statutit të Gjykatës Ndërkombëtare. Në të Drejtën Ndërkombëtare nuk ekziston asnjë normë që ndalon kryengritjen”.
Disa vite përpara se të ngrinte aktakuzë kundër pjesëtarëve të UÇK-së, Carla Del Ponte ishte në dijeni të rrjedhave të procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale të Sierra Leones dhe të dështimit të plotë që përjetoi prokurori, i cili u përpoq të përdorte konceptin “Ndërmarrje kriminale e përbashkët” në aktakuzën kundër rebelëve të Këshillit Revolucionar të Forcave të Armatosura në atë shtet. Në vend që të kishte parasysh jurisprudencën e kësaj gjykate, ajo u përpoq të përdorte të njëjtin koncept kundër pjesëtarëve të UÇK-së.
Në aktakuzat kundër Fatmir Limajt, Haradin Balajt, Isak Musliut, Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt, përfshirja nga ana e Carla Del Ponte-s e terminologjisë së përdorur nga Shërbimi Sekret i Serbisë në funksion të shtrembërimit të qëllimit politik të luftës çlirimtare, e bën ish-Prokuroren e Përgjithshme të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë pjesë të Ndërmarrjes së përbashkët, që synonte kriminalizimin e projektit politik të çlirimit të Kosovës. Mirëpo përpjekja e kësaj Ndërmarrjeje të përbashkët për të kriminalizuar luftën tonë dështoi, sepse: në të dy proceset gjyqësore të lartpërmendura, vendimet përfundimtare shpallën pafajësinë e plotë të Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt dhe e hodhën poshtë si të pabazuar pretendimin për ta prezantuar UÇK-në si “Ndërmarrje kriminale e përbashkët”.
Në dy procese gjyqësore në Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, u hodh poshtë përpjekja për të shtrembëruar qëllimin e projektit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prandaj pretendimi i Çarls L. Smith III, Kryegjykatës, gjykatësit Kristof Barte, Ginel Metro, Fergal Gejnor dhe gjykatësve rezervë të Trupit Gjykues se gjoja “nuk e kanë parë të nevojshme të përcaktonin nëse qëllimi për të vendosur kontrollin politik dhe institucional mbi atë që shpresonin se do të ishte një Kosovë e pavarur ishte në vetvete kriminal apo i paligjshëm” është mohim i jurisprudencës ndërkombëtare rreth kësaj çështjeje dhe përpjekje për të krijuar precedent që mund të shërbejë për të përkufizuar ndryshe natyrën e luftës sonë çlirimtare.
Pikërisht për këto arsye, përtej tragjedisë individuale dhe familjare që po përjetojnë qe gjashtë vite Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, vendimi i 16 shtatorit i ka ngulur thikën luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Përballë kësaj situate me rreziqe të mëdha, konsensusi i përgjithshëm politik, shoqëror dhe mbarëkombëtar është DOMOSDOSHMËRI.
