Zoti Ministër, ndoshta na ndihmoni me një llogari:
Në çfarë ore duhet të niseni nga Tetova me biçikletë që të arrini në kohë në punë?
Apo plani është më modern: biçikleta mbi Škoda, si në foto — ekologji për fotografi, ndërsa përgjegjësia mbetet në vend?
Sepse duket se pedalet po lëvizin më shpejt se ministria.
Studentët nuk po kërkojnë shumë. Nuk po kërkojnë privilegje, as fotografi, as propagandë.
Po kërkojnë një takim. Po kërkojnë përgjigje. Po kërkojnë që ministri i Drejtësisë t’i marrë seriozisht.
Është bukur të promovosh biçikletën. Por qytetarët do të donin të shihnin të njëjtin entuziazëm edhe për zgjidhjen e problemeve dhe dëgjimin e studentëve.
Sepse një ministër nuk vlerësohet për sa kilometra bën me biçikletë.
Vlerësohet për sa probleme zgjidh.
Dhe këtu duket se kemi një problem interesant:
Biçikleta ka lëvizur. Studentët kanë lëvizur. Pyetjet kanë lëvizur.
Vetëm ministria ende nuk po lëviz.
Zoti Ministër, lëreni për pak biçikletën dhe hipni në përgjegjësinë që ju ka besuar posti.
Studentët janë duke pritur.
