“Lotaria Shtetërore është shtetërore. Paratë e Lotarisë Shtetërore janë para të popullit. Kur një kompani shtetërore paguan nga dividenda për koncerte dhe festime të Qeverisë – këto janë para të qytetarëve. Nuk ka ‘zero denarë’. Ka vetëm zhvendosje të shpenzimit nga një xhep i shtetit në tjetrin”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), në opozitë, e cilësoi si një tjetër gënjeshtër të kryeministrit Hristijan Mickoski deklaratën e tij se për koncertin e David Guettës dhe aktivitetet e tjera të organizuara me rastin e 35-vjetorit të Pavarësisë janë shpenzuar “zero denarë” nga buxheti i shtetit.
Nga LSDM-ja pyesin nëse fakti që Lotaria Shtetërore, e cila, sipas raportimeve të disa mediave, ka sponsorizuar aktivitetet e lidhura me festimin e 35-vjetorit të Pavarësisë, nuk konsiderohet shpenzim i parave të qytetarëve vetëm sepse bëhet fjalë për një shoqëri aksionare në pronësi të shtetit.
Socialdemokratët reagojnë edhe ndaj pjesës së deklaratës së kryeministrit se gjithçka ishte organizuar me mbështetjen e kompanive shoqërisht të përgjegjshme, pa treguar se për cilat kompani bëhet fjalë.
“Edhe një gënjeshtër tjetër e Mickoskit. Vetëm gënjeshtra. Kur ky njeri hap gojën – gënjen. Nuk e dimë nëse ka filluar t’u besojë edhe vetë gënjeshtrave të tij, sepse është e pabesueshme që dikush të mendojë se qytetarët mund t’u besojnë këtyre absurditeteve. Lotaria Shtetërore është shtetërore. Paratë e Lotarisë Shtetërore janë para të popullit. Kur një kompani shtetërore paguan nga dividenda për koncerte dhe festime të Qeverisë – këto janë para të qytetarëve. Nuk ka ‘zero denarë’. Ka vetëm zhvendosje të shpenzimit nga një xhep i shtetit në tjetrin.”
Nga LSDM-ja e kritikojnë Qeverinë dhe kryeministrin, duke pretenduar se pushteti ka para për spektakle që paraqiten si falas, ndërkohë që arka shtetërore është bosh, nuk ka para për paga, pensione dhe subvencione për bujqit dhe planifikohet një borxh i ri prej më shumë se një miliard eurosh.
“Mickoski, qytetarët nuk janë idiotë. Ata shohin se ku shkojnë paratë. Dhe e dinë se ‘zero denarë’ është vetëm një tjetër gënjeshtër.”
Kryeministri Mickoski sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, hodhi poshtë të gjitha kritikat dhe spekulimet për kostot e aktiviteteve me të cilat u shënua 35-vjetori i Pavarësisë, duke deklaruar se organizimi i të gjitha ngjarjeve muzikore në vend i kushtoi qytetarëve dhe buxhetit të shtetit zero denarë.
Ai tha se i gjithë organizimi ishte financuar nga kompani shoqërisht të përgjegjshme, por nuk tregoi se për cilat kompani bëhet fjalë.
