BallinaLajmeMë mirë për Tetovën / FESTË PËR SHTETIN, VDEKJE PËR QYTETARËT?!

Më mirë për Tetovën / FESTË PËR SHTETIN, VDEKJE PËR QYTETARËT?!

Sot, më 8 Shtator, Maqedonia e Veriut feston Ditën e Pavarësisë, por për Tetovën kjo datë është ditë kujtimi dhe zie. Pesë vjet më parë, 14 bashkëqytetarë tanë u dogjën të gjallë në zjarrin e kobshëm në Spitalin Modular të Tetovës. Kjo është ajo që sjellin politikanët e pacipë dhe qeverisja e keqe: një ndarje mes shtetit dhe qytetarëve të tij. Shteti feston pavarësinë, ndërsa qytetarët mbajnë zi.

Në vend që të dalin në mbështetje të viktimave dhe familjeve të tyre, politikanët dhe sistemi i kalbur i drejtësisë u vënë në mbrojtje të së keqes. Janë bërë hetime dhe ekspertiza. Tre ekspertizat paraprake u injoruan, ndërsa edhe ekspertiza gjermane, e cila u prezantua si një hap vendimtar për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit, nuk u trajtua ashtu si meriton kjo tragjedi.

Me veprimet e veta, ky shtet dëshmon dita-ditës se ushtron më shumë fuqinë e tij ndaj qytetarit të zakonshëm sesa ndaj atyre që kanë pushtet dhe para. Prandaj, në ditëlindjen e këtij shteti, kemi të drejtë të pyesim: Çfarë shteti është ky? Çfarë kuptimi kanë fjalët për demokraci, sundim të ligjit dhe vlera evropiane, kur qytetarët mund të digjen për së gjalli brenda një institucioni publik dhe, pesë vjet më vonë, ende të mos ketë përgjegjësi?

Pas tragjedisë në Spitalin Modular të Tetovës, shteti nuk e nxori mësimin e duhur. Kështu, çmimi u bë edhe më i shtrenjtë në tragjedinë e Koçanit. Ajo që ndodhi në Koçan na tregoi se sa i lartë është çmimi që paguajnë qytetarët kur qeverisen nga politikanë të këqij dhe kur kemi prokurori që ndikohet nga politika dhe oligarkia.

Sot na kujtohen edhe fjalët e politikanëve të cilët, në natën e kobshme të tragjedisë, i shmangeshin përgjegjësisë duke thënë: “Nuk është koha për dorëheqje.” Të njëjtët, kur janë në opozitë, flasin ndryshe. Ndërrohen pushtetet, ndërrohen partitë, ndërrohen ministrat, por një gjë nuk ndryshon: qytetari mbetet ai që vuan. Nëse ka një temë që i bashkon pushtetin dhe opozitën, ajo është mosinteresimi për vuajtjet e qytetarëve. Asnjëra nga partitë politike nuk flet për zjarrin dhe epilogun e tragjedisë në Spitalin Modular.

Ne sot përulemi para kujtimit të 14 viktimave dhe, në kujtim të tyre, vendosim këtë pllakë përkujtimore, që të na kujtojë tradhtinë e shtetit ndaj qytetarëve të tij dhe pasojat e papërgjegjësisë dhe mosndëshkimit.

Derisa shteti feston, Tetova kujton viktimat e Spitalit Modular; qytetarët mbajnë zi. Kjo është kështu prej 35 vitesh dhe kështu do të vazhdojë të jetë derisa të udhëhiqemi nga këta politikanë.

Kërkojmë drejtësi për 14 viktimat dhe familjet e tyre; Përgjegjësi për fajtorët e vërtetë; dhe Fund kulturës së mosndëshkimit.

Nuk mund të ketë jetë për një shtet, qytetarët e të cilit vdesin çdo ditë pak nga pak.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments