BallinaLajmeVMRO-VLEN dhe fantazma e vitit 2001,Mickoski kot e ka, do kaloje edhe...

VMRO-VLEN dhe fantazma e vitit 2001,Mickoski kot e ka, do kaloje edhe ky fruth politik: Mund ta sundoni pushtetin, por nuk mund ta rishkruani historinë

www.telegrami.mk

analizë politike

Në vitin 2001, në pushtetin qendror ishte VMRO-DPMNE e Ljubço Georgievskit. Dhe atëherë ndodhi ajo që sot disa në pushtet bëjnë sikur nuk ka ndodhur.

VMRO-DPMNE, një parti që ushqehej politikisht me mitologjinë e Ilindenit, me narrativën e forcës shtetformuese dhe me autoritetin historik mbi shtetin, u përball me realitetin e vitit 2001.

Dhe realiteti ishte i hidhur: shteti nuk mund të funksiononte sikur shqiptarët të ishin dekor në një shtet ku ata ishin një pjesë e madhe dhe politike e shoqërisë.

Pas konfliktit erdhi Marrëveshja e Ohrit. Dhe prej atëherë, në psikologjinë politike maqedonase mbeti një plagë që nuk u mbyll kurrë: ideja se VMRO-DPMNE ishte detyruar të bëjë atë që më parë e konsideronte të pamundur.

Pastaj erdhi Nikolla Gruevski.

Për më shumë se një dekadë u përpoq ta rindërtonte mitin e VMRO-së së pathyeshme. Ndërtoi monumente, ndërtoi narrativë, ndërtoi propagandë, ndërtoi një shtet të tërë simbolik.

Por një gjë nuk arriti ta ndërtojë:

ta zhdukte vitin 2001 nga kujtesa politike.

Sot kemi versionin e tretë: VMRO-DPMNE e Mickoskit.

Dhe duket sikur dikush ka vendosur të provojë përsëri të njëjtën recetë: më shumë majorizim, më shumë lojë me ligjet, më shumë simbolikë nacionaliste, më shumë presion mbi institucionet, më shumë koncentrim të investimeve, punësimeve dhe mundësive në pjesë të caktuara të shtetit.

Ndërsa përballë saj qëndron VLEN-i.

Një partner qeveritar shqiptar që shpesh duket më shumë si shtojcë e pushtetit maqedonas sesa si kundërpeshë shqiptare brenda tij.

Dhe këtu është paradoksi më i madh.

Mund të emërosh drejtorë.

Mund të shpërndash vende pune.

Mund të ndryshosh drejtues institucionesh.

Mund të luash me arsimin, policinë, administratën dhe investimet.

Mund të bësh propagandë nga mëngjesi deri në darkë.

Por nuk mund të ndryshosh gjeografinë.

Nuk mund ta ndryshosh faktin se në Maqedoninë Perëndimore ekziston një prani e fuqishme autoktone dhe historike shqiptare.

Nga Kumanova, përmes Shkupit, Likovës, Çairit, Tetovës, Gostivarit e deri në Strugë, shqiptarët nuk janë një fenomen i krijuar dje nga ndonjë koalicion qeveritar. Janë pjesë e këtij vendi, me familje, vendbanime, histori, ekonomi dhe territor ku jetojnë brez pas brezi.

Prandaj, le të mos ngatërrohet pushteti me realitetin.

Mickoski mund ta ketë shumicën parlamentare sot. Mund ta ketë mandatin edhe disa vite. Mund të fitojë edhe zgjedhje të tjera.

Por pushteti parlamentar nuk është gomë për të fshirë historinë.

Dhe këtu është gabimi i madh i kësaj qeverie: po sillet sikur një shumicë politike në Kuvend i jep të drejtë të rishkruajë edhe ekuilibrat shoqërorë të shtetit.

Nuk i jep.

Sepse Maqedonia nuk është vetëm ajo që votohet në Shkup.

Dhe shqiptarët nuk janë vetëm numri që kërkohet në koalicion kur duhen votat, pastaj harrohet kur ndahen privilegjet.

Për VLEN-in kjo është edhe më e turpshme.

Sepse nëse VMRO-DPMNE po provon të rikthejë një model të vjetër të dominimit politik, pyetja është: çfarë po bëni ju aty?

Për të qenë shqiptarë në qeveri?

Apo për të qenë dekor shqiptar i një politike që po tenton t’ju zvogëlojë politikisht?

Kjo është pyetja që VLEN-i duhet t’ia bëjë vetes.

Sepse historia ka një zakon të keq: kthehet pikërisht atëherë kur politikanët kujtojnë se e kanë varrosur.

2001 nuk është një buton që mund ta fikë Mickoski.

As një koalicion nuk mund ta fshijë.

As propaganda.

As punësimet.

As policia.

As investimet.

As retorika.

Dhe as VLEN-i nuk mund ta bëjë këtë duke heshtur.

Mund të provosh të krijosh një realitet të ri politik.

Por kur realiteti shoqëror nuk të bindet, propaganda fillon të duket si ajo që është:

një tullumbace e madhe me shumë ajër dhe shumë pak terren nën këmbë.

Mickoskit mund t’i duken të gjata katër vitet e pushtetit.

Por politika ka një orë.

Dhe ajo orë nuk ndalet.

Nëse pas katër viteve shqiptarët do të jenë aty ku janë sot, nëse Maqedonia Perëndimore do të jetë aty ku është sot dhe nëse realiteti demografik e politik do të mbetet ai që është, atëherë pyetja do të jetë shumë e thjeshtë:

Çfarë ndryshoi përveç pushtetarëve?

Sepse një gjë nuk mund ta ndryshojë as Mickoski, as VMRO-ja, as VLEN-i:

historinë.

Dhe 2001-shi, pavarësisht se sa shumë përpiqen ta mbulojnë me flamuj, deklarata dhe propagandë, vazhdon të jetë aty.

Si kujtesë se shteti mund të ketë pushtet.

Por pushteti nuk mund ta mohojë realitetin.Shqiptarët janë aty -ishin-dhe do jenë aty,ndërsa mbyllen shkolla d.m.th narrativi politik bie…ku mbyllen më shumë…këtë Mickoski dhe qyqarët e VLEN nuk e pëlqejnë…BDI dhe struktura të caktuara i ndihmonin Gruevskit me mosinteresim për mosinvestim të investimeve kapitale-strategjike në Maqedoninë Perendimore (si shembull Zona Industriale Tetovë mbeti vareza më ikonike e mosinvestimeve kapitale )…

Mickoski po luan me hijen e 2001-shit

Ka një problem me VMRO-DPMNE-në e Mickoskit: po sillet sikur 2001-shi mund të fshihet nga historia. Sikur të ishte një dosje që futet në sirtar dhe i thuhet sekretarit: “Mos ia jep askujt!”

Por historia nuk është tender publik. Nuk anulohet me vendim qeverie.

Në vitin 2001, VMRO-DPMNE e Ljubço Georgievskit ishte në pushtet. Erdhi konflikti, erdhi Marrëveshja e Ohrit dhe u ndryshua formula politike e shtetit. Gruevski më pas provoi ta rikthejë autoritetin me monumente, nacionalizëm e propagandë.

Mickoski po provon me majorizim, punësime, polici, arsim, administratë dhe investime selektive.

Por mund të emërosh sa të duash drejtorë e shefa: historinë nuk mund ta emërosh.

As gjeografinë.

Tetova nuk zhvendoset me konferencë për shtyp. Gostivari nuk ndryshon me dekret. Struga nuk fshihet me statistikë.

Maqedonia Perëndimore nuk është hartë bosh që pushteti e vizaton sipas dëshirës.

Dhe pastaj kemi VLEN-in.

Ah, VLEN-i!

Partneri shqiptar që duket sikur është futur në qeveri jo për të qenë kundërpeshë, por për t’i dhënë fotografisë së pushtetit pak ngjyrë shqiptare.

Në mëngjes thonë se po mbrojnë shqiptarët, në drekë votojnë, në mbrëmje shpjegojnë se ishte “kompromis”, ndërsa të nesërmen na tregojnë se “po bëhet punë”.

Po bëhet.

Vetëm se pyetja është: për kë?

Nëse VMRO-ja po e shtyn politikën drejt majorizimit, ndërsa VLEN-i vetëm arsyeton, hesht ose buzëqesh, atëherë kjo nuk është kundërpeshë politike.

Është dekor politik.

Madje një bonsai politik: mbahet në zyrë, ujitet kur duhet, fotografohet bukur, por nuk lejohet të rritet.

Mickoski mund ta ketë shumicën në Kuvend, por Kuvendi nuk është telekomandë për realitetin.

Nuk ekziston butoni:

DELETE 2001.

Mund ta shtypësh “majorizim”, “punësime”, “polici”, “investime”, por realiteti nuk zhduket.

Kjo është ajo që duket se harron pushteti: mund ta sundosh shtetin për katër vjet, por nuk mund ta rishkruash shoqërinë për katër vjet.

Gruevski e provoi. Sistemi i tij dukej i përjetshëm, derisa nuk ishte më.

Edhe Mickoski duhet ta dijë: karrigia mund të duket e fortë kur je ulur mbi të. Por pushtetet kanë një ves të keq — një ditë ngrihen prej saj.

Dhe atëherë mbetet pyetja:

Çfarë ndryshuat përveç emrave nëpër zyra?

Sepse 2001-shi nuk është fantazmë që trembet nga Mickoski.

Është hija që ecën pas tij sa herë që përpiqet të sillet sikur nuk ekziston.

Ndërsa VLEN-it i mbetet një pyetje edhe më e thjeshtë:

Nëse jeni në qeveri për shqiptarët, pse po dukeni gjithnjë e më shumë si shqiptarët që i duhen VMRO-së për ta bërë politikën e saj të duket më e pranueshme?

Kjo nuk është kundërpeshë.

Kjo është shqipja si dekor i pushtetit.

Dhe dekorin, siç dihet, e mbajnë në skenë vetëm derisa të mbarojë shfaqja.

www.telegrami.mk

P.S Babai im i ndjerë që jetoi 91 vite ndroi jetë në 2021 Qemal Shabani ish i persekutuar politik nga koha e Rankoviçit tregonte se vendlindjen e tijë fshati Lisec-Tetovë e mbante mend tre herë deri tash të ishte boshatisur dhe tre herë ishte mbushur prapë…ndërsa në Maqedoninë lindore nuk ka mbushje prapë vetëm shprazje… FLM IA për fotomontazhin e ballinës…

Mesut Shabani

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments