Redaksia
24 Gusht, 2026

Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi do të ulet sot, për herë të parë, në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Penale, ku do të gjykohet për veprën penale “shpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, për të cilën Kodi Penal parashikon dënim me burg deri në pesë vjet.
Gjatë hetimit, Grubi fillimisht dyshohej për veprën më të rëndë penale “përvetësim në detyrë”, për të cilën parashikohet dënim me burg deri në 20 vjet, por më vonë vepra u rikualifikua si shpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.
Ai dhe shtatë persona të tjerë akuzohen për abuzime në “Lotarinë Shtetërore”. Aktakuza u ngrit dhjetë ditë më parë, më 13 gusht, ndërsa Grubi, i cili është i akuzuari i dytë në këtë rast, aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak.
akuzuari i parë është Përparim Bajrami, ish-kryetar i Bordit të Drejtorëve dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Lotarisë Shtetërore. Ai vazhdon të jetë në arrati dhe është i paarritshëm për organet e ndjekjes penale.
Sipas Prokurorisë Publike, megjithëse të akuzuarit ishin në dijeni se Lotaria Shtetërore nuk kishte të drejtë të organizonte lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve të videolotarisë në territorin e vendit, ata megjithatë iniciuan procedurë për prokurimin e terminaleve të tilla, me vlerë prej qindra milionë denarësh, duke i shkaktuar shoqërisë aksionare dëm prej rreth 8,2 milionë eurosh.
