BDI pretendon se dokumentet zyrtare tregojnë se Alternativa ende figuron si subjekt i veçantë, me Zekirija Berishën si kryetar, ndërsa BESA vazhdon të figurojë me Bilall Kasamin në krye. BDI pyet se kur dhe nga cili organ partiak është zgjedhur Berisha, si dhe pse ky ndryshim nuk është bërë publik. Sipas tyre, kjo bie ndesh me pretendimet për bashkimin e partive në kuadër të VLEN-it DUKE e cilësuar procesin si “mashtrim”, duke thënë se partitë dhe strukturat e tyre vazhdojnë të funksionojnë veçmas.Sipas të dhënave në Regjistrin Qendror, kryetar i Alternativës figuron Zekirija Berisha, shef i kabinetit të ministrit Bekim Sali. Kur është zgjedhur Zekirija Berisha kryetar? Cili organ partiak e ka marrë këtë vendim? Pse ndryshimi është mbajtur i fshehtë? A e dinë anëtarët e Alternativës se kush e drejton juridikisht partinë e tyre?”, tha BDI.
VLEN i është përgjigjur BDI-së duke i cilësuar akuzat për statusin e partive si propagandë. Nga VLEN thonë se bashkimi i Alternativës, BESA-s, Lëvizjes Demokratike, Aleancës për Shqiptarët dhe Vetëvendosjes po zhvillohet në faza dhe në përputhje me procedurat ligjore, duke mohuar çdo mashtrim apo fshehtësi.“BDI-së i kaluan dy dekada në pushtet, në tenderë dhe hajni, ndaj duket se nuk i mbeti kohë t’i mësojë ligjet. Pasi nuk u kaloi tregimi për Besën, tani u kapën pas Alternativës, por ende nuk po zbulojnë nëse BDI-në vërtet e udhëheq Ali Ahmeti, Bujar Osmani apo Artan Grubi nga arresti shtëpiak.Në vend që të flasin marrëzira për ndonjë mashtrim, duhet ta dinë se VLEN-i në zgjedhjet lokale nuk garoi si parti politike e regjistruar”, tha VLEN.
Në fund, VLEN thotë se partitë që e përbëjnë koalicionin do të mbeten të shënuara si faktorë politikë që e mposhtën BDI-në, duke deklaruar se synimi i tyre është që kjo parti dhe udhëheqja e saj të largohen përfundimisht nga skena politike.
