Debati i rikthyer këto ditë rreth asaj nëse gjatë konfliktit të vitit 2001 ishte diskutuar edhe mundësia e ndarjes së Maqedonisë ka nxitur reagime të ndryshme. Në këtë kuadër, njëri nga eksponentët e lartë të koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka ngritur disa pyetje mbi synimet politike të luftës së vitit 2001.
“Po e marrim të mirëqenë faktin se përfaqësuesi i atëhershëm politik i UÇK-së nuk e pranoi ndarjen e Maqedonisë së Veriut. Nëse është kështu, siç e tha vetë ai, i bie se ai ka hequr dorë – vullnetarisht ose nga ndonjë presion – nga qëndrimi fillestar i ndarjes së Maqedonisë, i shprehur në komunikatat e para të UÇK-së, ose ato i ka pasur karrem sa për t’ia filluar luftës, që pastaj të etablohet në politikë. Sepse kjo e shtron çështjen se a ia vlente të bëhet gjithë ajo luftë, me krejt ato viktima, dëme njerëzore e materiale, që në fund nga “pakicë etnike” (siç ishim më 1991) të bëhemi “bashkësi etnike” (më 2001) dhe nga “gjuha e pakicës” të bëhemi “gjuha që e flasin 20 % popullatës e që nuk është e njëjtë si maqedonishtja”?! Reduktimi i këtillë marramendës i synimeve kërkon një shpjegim.
Dhe, më e rëndësishme se kjo: nëse nuk ka qenë në agjendë ndarja, as federalizimi, as kantonizimi, madje as një organizim i brendshëm i komunave shqiptare (siç e kërkojë serbët në Kosovë), pyetja themelore që shtrohet është: cili ka qenë vizioni për Maqedoninë i atij që e bëri luftën?”, ka shkruar Ibrahimi
