Asnjë universitet nga Maqedonia e Veriut nuk u rendit mes 1.000 institucioneve më të mira të arsimit të lartë në botë në Listën e Shangait për vitin 2026, përkatësisht në Renditjen Akademike të Universiteteve Botërore (ARWU), transmeton Portalb.mk.
Universitetet vendase edhe këtë vit mungojnë në këtë listë të rëndësishme botërore, në të cilën institucionet e arsimit të lartë renditen sipas rezultateve të tyre në arsim dhe në veprimtarinë kërkimore-shkencore.
Mungesa e universiteteve vendase rihap edhe një herë çështjen e cilësisë dhe dukshmërisë ndërkombëtare të arsimit të lartë në vend, investimeve në shkencë, numrit të punimeve të publikuara në revista të njohura ndërkombëtare dhe mbështetjes që u ofrohet studiuesve.
Lista e Shangait i vlerëson universitetet sipas gjashtë treguesve.
Në tri vendet e para të Listës së Shangait për këtë vit janë universitetet amerikane Harvard dhe Stanford, si dhe Instituti i Teknologjisë në Massachusetts (MIT). Në vendin e katërt është Universiteti britanik Cambridge, ndërsa në pozitën e pestë ndodhet Universiteti i Kalifornisë në Berkeley.
Sipas metodologjisë së ARWU-së, çdo vit vlerësohen më shumë se 2.500 universitete, por publikohen vetëm 1.000 më të mirat. Asnjë institucion i arsimit të lartë nga Maqedonia e Veriut nuk është renditur në mesin e tyre.
