Zgjerimi i Bashkimit Europian po hyn në një fazë vendimtare, me Shqipërinë dhe Malin e Zi që po i afrohen me shpejtësi anëtarësimit, ndërsa Ukraina dhe Moldavia po përparojnë në procesin e integrimit.
Paralelisht, Brukseli po përgatitet për reforma të rëndësishme në mënyrën se si funksionon Unioni, në një përpjekje për t’iu përshtatur një BE-je më të madhe dhe më komplekse.
“Për herë të parë që nga Brexit, Bashkimi Europian ka një mundësi reale për të rifilluar zgjerimin. Ndërsa vende si Mali i Zi dhe Shqipëria po i afrohen vijës së finishit dhe shtetet e tjera kandidate e shohin anëtarësimin si një garanci për stabilitet dhe siguri, ambiciet e Brukselit pritet të përballen me një sërë sfidash politike dhe strategjike”, shkruan Euronews.
Procesi i zgjerimit po përjeton një hov të pazakontë. Disa prej vendeve kandidate më të avancuara janë pranë përfundimit të negociatave, ndërsa Ukraina dhe Moldavia po ndërmarrin hapa të rëndësishëm për t’u shkëputur nga ndikimi i Moskës. Në të njëjtën kohë, Islanda po shqyrton mundësinë e rifillimit të negociatave për anëtarësim.
Situata nuk ka qenë kaq premtuese prej vitesh. Zyrtarë europianë kanë deklaruar se gjatë gjashtë muajve të fundit janë mbyllur më shumë kapituj negociues sesa gjatë dekadës së fundit.
Brukseli po e përdor gjithnjë e më shumë perspektivën e anëtarësimit si një instrument të politikës së jashtme, me synimin për të konsoliduar ndikimin në fqinjësinë e tij, për të forcuar garancitë e sigurisë dhe për të ankoruar stabilitetin në një klimë të paqëndrueshme gjeopolitike.
Megjithatë, sa më konkrete bëhet perspektiva e një Bashkimi Europian të zgjeruar, aq më shumë shtohen pyetjet mbi mënyrën se si do të funksionojë Unioni me një numër më të madh shtetesh anëtare.
Një prej çështjeve kryesore që duhet të marrë në konsideratë procesi i zgjerimit është ekuilibri gjeografik, veçanërisht pas zgjerimit të madh të vitit 2004. Në atë kohë, 10 shtete të reja nga Europa Qendrore dhe Lindore iu bashkuan BE-së, duke krijuar shqetësime në disa kryeqytete të Europës Perëndimore se qendra e gravitetit të Unionit po zhvendosej shumë drejt lindjes.
Shqipëria dhe Mali i Zi, si dy kandidatët më të avancuar aktualisht, nuk pritet ta ndryshojnë ndjeshëm këtë ekuilibër, për shkak të peshës së tyre të kufizuar demografike dhe ekonomike. Megjithatë, përparimi i tyre ngre një çështje më delikate: si do të menaxhohet Serbia, vendi më i madh i Ballkanit Perëndimor, i cili vijon të jetë një çështje përçarëse mes shteteve anëtare.
Vendet e ashtuquajtura “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” kanë ngritur pikëpyetje mbi konsideratat gjeopolitike që ndikojnë në procesin e pranimit të Beogradit. Sipas tyre, parimi i një procesi të bazuar në meritë nuk po zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjitha vendet kandidate.
Ndërsa rritet presioni për hapjen e kapitujve të rinj të negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë deri në fund të vitit, thirrjet për ruajtjen e një ekuilibri gjeografik pritet të shtohen. Kjo mund të bëjë që përparimi i Ukrainës të lidhet, të paktën pjesërisht, me atë të Serbisë.
Islanda mund të jetë një faktor i papritur në këtë ekuilibër. Vendi nordik po zhvillon një referendum, i hapur deri më 29 gusht, për të përcaktuar nëse do të rifillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ndërkohë, Ukraina mbetet çështja më e rëndësishme dhe më komplekse. Kryeqytetet evropiane janë të vetëdijshme se një formë e anëtarësimit në BE ose garancive të sigurisë për Ukrainën do të duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje të ardhshme të paqes me Rusinë.
