Mbi 26 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë marrë për herë të parë leje qëndrimi në një nga vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2024, por numri i lejeve të lëshuara është në rënie krahasuar me vitin paraprak.Sipas të dhënave të Eurostatit, në vitin 2024 gjithsej 26.727 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë marrë leje të parë qëndrimi në një vend të BE-së. Në krahasim me vitin 2023, kur ishin lëshuar 31.876 leje, bëhet fjalë për një rënie prej rreth 16 për qind.
Gjermania mbetet destinacioni kryesor
Gjermania vazhdon të jetë destinacioni kryesor për shtetasit e Maqedonisë së Veriut që marrin leje të reja qëndrimi në BE. Gjatë vitit 2024, në Gjermani janë lëshuar rreth 49 për qind e të gjitha lejeve të para të qëndrimit për shtetasit maqedonas.
Pas Gjermanisë renditen:Kroacia – 16 për qind
Sllovenia – 9 për qind
Italia – 8 për qind
Austria – 6 për qind
Këto pesë shtete përbëjnë pjesën dërrmuese të destinacioneve ku shtetasit e Maqedonisë së Veriut kanë marrë leje të reja qëndrimi.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se shtetasit maqedonas kanë pasur një prani të konsiderueshme në tregjet e punës dhe të qëndrimit të disa vendeve të BE-së edhe në vitet paraprake.
Sipas të dhënave të Eurostatit për vitin 2019, shtetasit e Maqedonisë së Veriut renditeshin ndër pesë përfituesit kryesorë të lejeve të qëndrimit në Kroaci, Slloveni dhe Bullgari.
Në Kroaci, në vitin 2019, shtetasve të Maqedonisë së Veriut iu lëshuan 4.295 leje qëndrimi, që përbënin 8,5 për qind të të gjitha lejeve të lëshuara në atë shtet. Në Slloveni u lëshuan 2.112 leje, ose 6,7 për qind e totalit, ndërsa në Bullgari shtetasit maqedonas morën 813 leje, që përbënin 6 për qind të totalit.
Punësimi, arsyeja kryesore
Në nivel të Bashkimit Evropian, punësimi ka qenë arsyeja kryesore për lëshimin e lejeve të qëndrimit. Në vitin 2019, rreth 1,2 milionë leje, ose 40,5 për qind e totalit, ishin lëshuar për këtë qëllim.
Pas punësimit renditeshin bashkimi familjar me rreth 810 mijë leje, arsyet e tjera me rreth 546 mijë dhe arsimi me rreth 400 mijë leje.
Në atë vit, numrin më të madh të lejeve të qëndrimit në BE e kishte lëshuar Polonia, me rreth 724 mijë, e ndjekur nga Gjermania me 460 mijë, Spanja me 320 mijë, Franca me 285 mijë dhe Italia me 176 mijë.
Sa i përket shtetësisë së përfituesve, në vitin 2019 në krye ishin shtetasit e Ukrainës me rreth 757 mijë leje, ose 25,6 për qind e totalit. Pas tyre renditeshin shtetasit e Marokut, Indisë, Kinës dhe Brazilit.
Sipas Eurostatit, në zgjedhjen e destinacionit për qëndrim ndikojnë faktorë të ndryshëm, ndër ta afërsia gjeografike, lidhjet historike dhe gjuhësore, si dhe rrjetet e krijuara të migrantëve.
Të dhënat për vitin 2024 tregojnë se, pavarësisht rënies së numrit të lejeve të para të qëndrimit krahasuar me vitin 2023, vendet e BE-së vazhdojnë të mbeten destinacion i rëndësishëm për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht përmes migrimit të lidhur me punësimin
