Maqedonia ndodhet në grupin e vendeve me shkallë të lartë të përdoruesve të përditshëm të duhanit dhe produkteve të ngjashme në Evropë, me pothuajse një në katër qytetarë mbi 16 vjeç (22,5% në vitin 2022) që janë konsumatorë të përditshëm. Edhe pse shkalla e Maqedonisë është nën mesataren e vendeve kryesore në rajon si Turqia (29,6%), Serbia (26,6%) dhe Bullgaria (26,3%), ajo është dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila në vitin 2025 ishte 16,5%.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se në vitin 2025, 16,5% e personave të moshës 16 vjeç e lart në BE përdornin duhan dhe produkte të ngjashme (cigare elektronike, qese nikotine ose produkte duhani të ngrohta) çdo ditë, duke treguar një rënie të lehtë nga 17,5% e regjistruar në vitin 2022. Ndërsa BE ka shënuar një rënie të përgjithshme të përdorimit të duhanit (nga 17,5% në 16,5%), shumica e vendeve në rajon (Turqia, Serbia, Kroacia, Bullgaria) shënojnë një rritje të dukshme. Maqedonia ndodhet në të njëjtin mjedis ballkanik ku konsumi mbetet i lartë.
Në Maqedoni, sipas të dhënave më të fundit në dispozicion, në vitin 2022, 22,5 për qind e personave të moshës 16 vjeç e lart kanë përdorë duhan dhe produkte të ngjashme çdo ditë.
Midis vendeve të BE-së, Bullgaria (26,3%), Suedia (23,9%) dhe Kroacia (23,6%) regjistruan përqindje më të lartë të përdorimit të përditshëm të duhanit dhe produkteve të ngjashme tek personat e moshës 16 vjeç e lart. Holanda (9,9%), Irlanda (11,7%), Belgjika (13,6%) dhe Luksemburgu (13,8%) kishin përqindje më të ulëta.
Krahasuar me vendet e rajonit, më shumë duhanpirës ka Turqia 29,6% në vitin 2025, që është një rritje prej 1.4 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2022 kur kishte 28,2%, e ndjekur nga Serbia me 26,6% dhe një rritje prej 1,8 pikësh përqindjeje krahasuar me vitin 2022 kur kishte 24,8%, dhe Bullgaria me 26,3% dhe një rritje prej 0,3 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2022 kur kishte 26%. Përpara nesh janë edhe Mali i Zi me 23,8% në vitin 2022 dhe Kroacia me 23,6% në vitin 2025 dhe një rritje prej 2,7 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2022 kur kishte 20,9%.
Greqia regjistron një rënie të numrit të duhanpirësve prej 1,6 pikë përqindjeje, nga 24,2% në vitin 2022, në 22,6% në vitin 2025. Më pak duhanpirës aktivë kanë Sllovenia me 17,3%, një rënie prej 0,6 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2022 kur kishte 17,9% dhe Shqipëria me 15,1% në vitin 2022.
Të dhënat tregojnë se 20,8% e burrave pinin duhan çdo ditë, krahasuar me 12,6% të grave.
Sipas grupmoshës, përqindja më e lartë e përdoruesve të përditshëm të duhanit dhe produkteve të ngjashne kishte në grupmoshën 35-49 vjeç (21,3%), e ndjekur nga ata të moshës 25-34 vjeç (19,9%) dhe 50-64 vjeç (19,8%). Grupmosha më e re dhe më e vjetër kishin përqindjet më të ulëta, përkatësisht 12,1% dhe 9,1%. Të dhënat e Eurostat tregojnë se shumica e njerëzve (77,5%) nuk përdorin produkte të tilla ose nuk i kanë përdorur ato në 12 muajt e fundit para mbledhjes së të dhënave.
