Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pas më shumë se 30 vjetësh pritje, Qeveria ka arritur ta përmbyllë projektin dhe konstruksionin financiar për pjesën lindore të Korridorit VIII, përkatësisht hekurudhën drejt Bullgarisë.
Sipas tij, gjatë dy viteve të fundit projekti është optimizuar dhe është përcaktuar më qartë mënyra e lidhjes hekurudhore ndërmjet dy vendeve.
Mickoski theksoi se versioni i mëparshëm i projektit parashikonte që hekurudha të përfundonte në mes të tunelit, pa një angazhim të qartë nga Bullgaria për modernizimin e segmentit nga kufiri deri në Sofje dhe për ndërtimin e pjesës tjetër të tunelit.
“Pas përparimit në bisedimet me fqinjin tonë lindor, janë nënshkruar marrëveshje dhe tani kemi angazhim nga të dyja palët. Tuneli do të jetë projekt i përbashkët, ndërsa presim që të financohet tërësisht me grant nga Komisioni Evropian”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se në vitin 2024 vendi duhej të shpenzonte më shumë se gjysmë miliard euro për një projekt që do të përfundonte në mes të tunelit, ndërsa tani, sipas tij, është krijuar një tërësi funksionale që do t’i lidhë të dyja shtetet.
“Pritëm më shumë se 30 vjet që ajo që na premtohej, më në fund të përmbyllet si projekt dhe si konstruksion financiar nga kjo Qeveri”, tha Mickoski.
Për realizimin e projektit është parashikuar një grant prej 169 milionë eurosh nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, si dhe financim nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Kryeministri vlerësoi se projekti do të sjellë vlerë të shtuar për ekonominë e vendit dhe do të kontribuojë në rritjen e transportit, investimeve dhe aktivitetit në sektorin e ndërtimtarisë.
Në kuadër të vazhdimit të Korridorit VIII, është parashikuar edhe modernizimi dhe elektrifikimi i segmentit Shkup–Jegunovc–Tetovë–Gostivar.
Mickoski foli edhe për segmentin drejt Kërçovës, Strugës dhe kufirit me Shqipërinë, duke theksuar se gjatë planifikimit duhet të respektohen rekomandimet e UNESCO-s dhe të mbrohet trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit dhe Strugës.
Sipas tij, tenderi për ndërtimin e rreth 20 kilometrave të hekurudhës pritet të përfundojë gjatë këtij viti, ndërsa punimet të fillojnë po këtë vit.
“Pjesa më e vështirë tani vijon, pasi bëhet fjalë për një sfidë të madhe inxhinierike. Megjithatë, jam i bindur në kapacitetet e sektorit ndërtimor maqedonas”, deklaroi Mickoski.
