BallinaLajmeArtan Grubi gjashtë muaj në arrest shtëpiak, ende nuk ka aktakuzë

Artan Grubi gjashtë muaj në arrest shtëpiak, ende nuk ka aktakuzë

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili në fund të shkurtit, pas 14 muajsh në arrati, u paraqit në pikën kufitare Bllacë dhe u dorëzua te autoritetet, vazhdon të jetë në arrest shtëpiak edhe gjashtë muaj pas dorëzimit, ndërsa Prokuroria Publike ende po zhvillon hetimet, shkruan Portalb.mk.

Prokuroria Themelore Publike ende nuk e ka përfunduar mbledhjen e provave për veprën penale për të cilën dyshohet Grubi.

Nga Prokuroria Publike për Portalb.mk, kanë bërë të ditur se hetimet për lëndën ndaj Grubit janë ende në zhvillim.

“Jemi në proces të hetimeve dhe mbledhjes së dëshmive. Në momentin që të ketë detaje të reja do t’i ndajmë me opinionin. Për të mos e dëmtuar procesin nuk mund të ndajmë më shumë detaje”, thanë nga Prokuroria. 

Kujtojmë se pas mbi një viti në arrati, më 23 shkurt në orët e para të mëngjesit, Grubi u vetëdorëzua në pikën kufitare në Bllacë, ku edhe u arrestua dhe u dërgua në Burgun e Shutkës.

Më pas, siç sqaruan autoritetet, për shkaqe sigurie u vendos që ai të shkojë në arrest shtëpiak, ku më pas disa herë iu vazhdua paraburgimi.

Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.

Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u ishte caktuar fillimisht masa e paraburgimit për 30 ditë.

Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments