BallinaLajmeUji me ndotje dhe arsen nuk është fatkeqësi natyrore – është...

Uji me ndotje dhe arsen nuk është fatkeqësi natyrore – është dështim institucional që kërkon përgjegjësi dhe hetim ndaj SHTETIT (QEVERISË) ?!.

www.telegrami.mk

Qytetarët e Gostivarit, Krushevës, Leshkës (komunë e Tearcës)dhe Vallandovës nuk mund të mbeten peng i justifikimeve, ndërsa nga çezmat e tyre rrjedh ujë i dyshimtë për shëndetin. Kur analizat zbulojnë prani të arsenikut ose ndotësve të tjerë të rrezikshëm, nuk mjafton të ndalohet përdorimi i ujit. Pyetja kryesore është: kush mban përgjegjësi që situata arriti deri këtu? Uji i pijshëm është e drejtë themelore e qytetarëve, jo privilegj.

Nëse vërtetohet se uji i pijshëm ka qenë i ndotur me arsenik ose substanca të tjera të rrezikshme, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi një institucion. Në Maqedoninë e Veriut përgjegjësia ndahet në disa nivele:

  • Komuna – është përgjegjëse për organizimin e furnizimit me ujë përmes ndërmarrjes publike komunale dhe duhet të sigurojë që qytetarëve t’u ofrohet ujë i sigurt.
  • Ndërmarrja Publike e Ujësjellësit – ka përgjegjësinë direkte për mirëmbajtjen e rrjetit, monitorimin e cilësisë së ujit dhe reagimin e menjëhershëm në rast të ndotjes.
  • Instituti i Shëndetit Publik dhe Qendrat e Shëndetit Publik – kryejnë analizat dhe monitorimin e cilësisë së ujit.
  • Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AHV) – ka kompetencë të ndalojë përdorimin e ujit kur ai nuk është i sigurt dhe të urdhërojë masa mbrojtëse.
  • Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor – mbikëqyr zbatimin e rregullave sanitare.
  • Prokuroria Publike – nëse ekziston dyshim për neglizhencë ose vepër penale, duhet të zhvillojë hetim dhe të përcaktojë përgjegjësi individuale. Në rastin e Gostivarit tashmë është hapur hetim penal.

Për rastet Gostivar, Krushevë, Leshkë dhe Vallandovë, nëse analizat zyrtare konfirmojnë ndotje me arsenik ose ndotës të tjerë, atëherë përgjegjësia fillon nga ndërmarrja komunale dhe komuna, por nëse institucionet shtetërore kanë dështuar të ushtrojnë mbikëqyrjen ose të reagojnë me kohë, atëherë përgjegjësi mban edhe shteti (qeveria), përkatësisht organet mbikëqyrëse dhe, sipas rastit, edhe penale. Për Vallandovën, autoritetet kanë ndaluar përdorimin e ujit për pije pas konstatimit të nivelit të rritur të arsenikut.

Nëse institucionet kanë dështuar të monitorojnë cilësinë e ujit, të paralajmërojnë qytetarët me kohë ose të ndërmarrin masa parandaluese, atëherë përgjegjësia nuk është vetëm morale, por mund të jetë edhe administrative e penale. Komunat, ndërmarrjet publike, institucionet shëndetësore dhe organet shtetërore të mbikëqyrjes duhet të japin llogari për çdo neglizhencë që ka rrezikuar shëndetin publik.

Shteti nuk matet nga deklaratat për kujdes ndaj qytetarëve, por nga aftësia për t’u garantuar atyre ujë të sigurt. Çdo ditë vonesë në zbardhjen e përgjegjësive minon besimin e qytetarëve. Prandaj nevojitet hetim i plotë, transparencë e plotë dhe përgjegjësi konkrete për këdo që ka lejuar që uji i pijshëm të kthehet në burim rreziku…www.telegrami.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments