BallinaLajmeQeveria e re hungareze do të hetojë kredinë prej një miliard eurosh...

Qeveria e re hungareze do të hetojë kredinë prej një miliard eurosh që Hungaria i dha Maqedonisë së Veriut.

Qeveria e re e Hungarisë do të nisë hetime për të verifikuar nëse ka pasur keqpërdorim të fondeve publike në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që banka shtetërore hungareze Eximbank i akordoi Maqedonisë së Veriut gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Viktor Orbán.

Këtë e bëri të ditur kryeministri i Hungarisë, Péter Magyar, gjatë një konference për media në Budapest, duke njoftuar se kredia për Maqedoninë e Veriut është një nga katër rastet për të cilat Ministria e Ekonomisë dhe Energjisë ka paraqitur kallëzime dhe kërkesa për hetim lidhur me mënyrën e shpenzimit të parave të taksapaguesve hungarezë.

Sipas Magyarit, katër rastet e paraqitura për hetim lidhen me aktivitetet e Eximbank, ndërsa vlera e përgjithshme e tyre arrin në rreth 1.000 miliardë forinta, ose afërsisht 3 miliardë euro.

Duke folur për kredinë ndaj Maqedonisë së Veriut, kryeministri hungarez tha se ajo është miratuar me një normë interesi fikse prej 3,25 për qind, dukshëm më e favorshme sesa normat me të cilat financohen kompanitë dhe qytetarët hungarezë, madje edhe më e ulët se interesi me të cilin vetë shteti hungarez merr hua në tregjet financiare.

Ai vlerësoi se, për shkak të diferencës së interesit, kjo kredi do t’i kushtojë buxhetit hungarez rreth 90 miliardë forinta, ose afërsisht 248 milionë euro, ndërsa rreziku i plotë i kredisë mbulohet nga garancia 100-për-qind e shtetit hungarez.

Magyar kritikoi qeverinë e mëparshme të Viktor Orbánit, duke thënë se në vend që fondet e Eximbank të përdoreshin për mbështetjen e bizneseve hungareze, ato u përdorën për t’i dhënë Maqedonisë së Veriut një kredi preferenciale, ndonëse vendi konsiderohej me nivel më të lartë rreziku financiar.

Ai shtoi se marrëveshja për kredinë ishte mbajtur në fshehtësi të madhe. Sipas tij, opinioni publik në Hungari u informua për këstin e dytë prej 500 milionë eurosh nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, përpara se këtë ta bënte vetë qeveria hungareze.

Magyar ngriti gjithashtu dyshime se qeveria e Orbánit mund t’i ketë përdorur fondet e destinuara për mbështetjen e ekonomisë hungareze për të forcuar aleancat e saj politike jashtë vendit dhe për të favorizuar kompani të afërta me pushtetin.

“Qeveria nuk do të paragjykojë rezultatin e këtyre rasteve. Hetimi u takon organeve kompetente dhe më pas gjykatave. Ne do të ofrojmë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të përcaktuar nëse ka elemente të veprave penale dhe ku kanë përfunduar paratë e taksapaguesve hungarezë”, deklaroi Magyar.

Një nga rastet që do të hetohet lidhet me financimin e hotelit “Sofitel”, në pronësi të miliarderit hungarez István Tiborcz, dhëndër i ish-kryeministrit Viktor Orbán. Dy rastet e tjera kanë të bëjnë me kredi me interesa të favorshme për projekte në Egjipt dhe për ndërtimin e një ure mes Zambias dhe Republikës Demokratike të Kongos. Sipas Magyarit, në të gjitha këto marrëveshje rol të rëndësishëm ka pasur ish-ministri i Punëve të Jashtme, Péter Szijjártó.

Kredia prej një miliard eurosh për Maqedoninë e Veriut u dakordua në korrik të vitit 2024 nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe homologu i tij i atëhershëm hungarez Viktor Orbán, gjatë Samitit të NATO-s në Uashington.

Më pas, Maqedonia e Veriut nënshkroi dy marrëveshje të veçanta me Eximbank, secila në vlerë prej 500 milionë eurosh. Marrëveshja e parë u nënshkrua më 8 tetor 2024, me afat shlyerjeje 15-vjeçar, tre vjet periudhë mospagese dhe interes fiks prej 3,25 për qind. Nga këto mjete, 250 milionë euro u dedikuan për kreditimin e kompanive vendase përmes Bankës Zhvillimore dhe bankave komerciale, ndërsa pjesa tjetër për financimin e projekteve komunale dhe ruajtjen e likuiditetit të buxhetit.

Marrëveshja e dytë prej 500 milionë eurosh u nënshkrua në dhjetor 2024 dhe u përdor për shlyerjen e euroobligacionit të emetuar në vitin 2018, i cili skadonte në janar të vitit 2025..

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments