BallinaLajmeBajram Rexhepi / Misionit të OSBE-së në Shkup.Ambasadave të shteteve mike të...

Bajram Rexhepi / Misionit të OSBE-së në Shkup.Ambasadave të shteteve mike të akredituara në Republikën e Maqedonisë së Veriut…

Mbrëmë i informuam të gjithë ambasadat e shteteve mike dhe të OSBE- -së , për metodat mesjetare që përdor komuna e Tetovës për të penguar protestën dhe për të nxitur incidente.

Drejtuar:

Misionit të OSBE-së në Shkup

Ambasadave të shteteve mike të akredituara në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Lënda: Njoftim lidhur me veprime që cenojnë standardet demokratike dhe të drejtën për protestë paqësore

Të nderuar,

Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega Tetovë, dëshiron t’ju njoftojë për një zhvillim shqetësues, i cili vë në pikëpyetje respektimin e standardeve elementare demokratike dhe të së drejtës së qytetarëve për ta shprehur lirshëm dhe në mënyrë paqësore revoltën e tyre.

Protesta qytetare e paralajmëruar për datën 11 korrik 2026, në orën 20:00, në Sheshin “Iliria” në Tetovë, është paraqitur në kohë dhe sipas procedurës së rregullt pranë organeve kompetente të Policisë së Tetovës, rreth një javë përpara mbajtjes së saj.

Pavarësisht kësaj, Komuna e Tetovës, vetëm një ditë para protestës, njoftoi organizimin e një aktiviteti tjetër në të njëjtin shesh dhe në një interval kohor që përkon drejtpërdrejt me protestën tashmë të paralajmëruar.

Një veprim i tillë, veçanërisht duke pasur parasysh kronologjinë e ngjarjeve, nuk mund të perceptohet thjesht si rastësi organizative. Ai krijon përshtypjen e një përpjekjeje të paramenduar për të shkaktuar konfuzion, për të penguar mobilizimin qytetar dhe për ta relativizuar një protestë të paralajmëruar në mënyrë të ligjshme, paqësore dhe demokratike.

E konsiderojmë këtë qasje si një veprim të papranueshëm dhe të papajtueshëm me kulturën politike demokratike. Shfrytëzimi i autoritetit dhe i resurseve të pushtetit lokal për të mbivendosur një aktivitet tjetër mbi një protestë qytetare përbën një formë presioni institucional dhe një përpjekje për ta kufizuar në praktikë lirinë e tubimit dhe të shprehjes.

Përtej dimensionit politik, ky veprim krijon edhe një rrezik serioz për sigurinë publike. Vendosja e dy aktiviteteve të ndryshme, me karakter dhe qëllime të ndryshme, në të njëjtën hapësirë dhe në të njëjtën kohë, dyshojmë që është një provokim i qëllimsëm për të krijuar, tensione ndërmjet qytetarëve.

Dëshirojmë të nënvizojmë se protesta jonë është dhe do të mbetet një manifestim paqësor, qytetar dhe i civilizuar. Qëllimi i saj është shprehja legjitime e pakënaqësisë qytetare si dhe nuk do të biem pre e provokimeve të ulta antidemokratike të pushtetit lokal.

Pikërisht për këtë arsye, e konsiderojmë të domosdoshme që faktori ndërkombëtar të jetë i informuar për këto zhvillime dhe për praktikat e pushtetit lokal, të cilat synojnë të pengojnë një nga format më themelore të shprehjes demokratike: protestën paqësore.

Besojmë se respektimi i lirive politike dhe qytetare nuk matet vetëm përmes deklaratave publike, por mbi të gjitha përmes sjelljes konkrete të institucioneve kur përballen me kritikë, pakënaqësi dhe revoltë qytetare. Pengimi i protestës përmes metodave administrative, organizative apo të tjera të tërthorta përbën një precedent të rrezikshëm për demokracinë lokale dhe për sundimin e ligjit.

Ju përcjellim këtë njoftim me bindjen se zhvillimet e tilla meritojnë vëmendje dhe monitorim të veçantë nga institucionet ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në vend.

Me respekt,

Bajram Rexhepi

Kryetar

Bashkimi Demokratik për Integrim-Dega Tetovë

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments