BallinaLajmeKos në Shkup: Janë bërë reforma, por përsëri vendi duhet t’i bëjë...

Kos në Shkup: Janë bërë reforma, por përsëri vendi duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese dhe të miratojë Kodin Zgjedhor

Ekzistojnë mundësi serioze që deri në vitin 2028 një tjetër vend nga Ballkani Perëndimor të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Maqedonia e Veriut ka vendin e saj, por miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet ende kusht i domosdoshëm për hapin e ardhshëm në procesin e anëtarësimitdeklaroi sot komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski.

“Reformat, të cilat do të kontribuojnë në një ekonomi më të zhvilluar dhe në një standard më të mirë jetese për të gjithë qytetarët, janë në thelb të procesit të anëtarësimit. Po shënohet përparim inkurajues dhe duam të përshëndesim angazhimin e shtuar të Qeverisë në zbatimin e reformave. Por, miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet hapi i domosdoshëm për fillimin formal të negociatave të anëtarësimit. E inkurajoj Qeverinë që të nisë procesin i cili do të çojë në miratimin e ndryshimeve kushtetuese”, theksoi komisionerja Kos.

Ajo përsëriti se Bashkimi Evropian funksionon mbi bazën e besimit, ndërsa në pyetjen e gazetarëve se si të ndërtohet besimi me një shtet anëtar që nuk e njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas, Kos u përgjigj:

“Besimi është i rëndësishëm, por si do ta ndërtojmë besimin? Nuk ka receta për këtë. Unë nuk jam ajo që mund t’ju jap këshilla se si të ndërtoni besim me fqinjët tuaj. Por ajo që di është se sa më shumë besim të keni, aq më lehtë do të përparoni në procesin e anëtarësimit. Mund ta ndërtojmë besimin, jo vetëm me fjalë të mira, por edhe me vepra të mira, duke shmangur veprimet dhe fjalët që rrisin tensionet, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe duke zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore”.

Komisionerja evropiane theksoi se qytetarët dhe kompanitë tashmë po i ndjejnë përfitimet nga afrimi me Bashkimin Evropian, duke përmendur negociatat për heqjen e roamingut, mundësitë e reja përmes programit “Erasmus Plus”, lidhjen me iniciativat evropiane për inteligjencën artificiale, qasjen në programet evropiane për shëndetësi dhe forcimin e sigurisë kibernetike. Ajo shtoi se anëtarësimi i plotë do të sjellë edhe më shumë përfitime.

Kos theksoi se nevojitet një konsensus i përbashkët ndërpartiak për Kodin Zgjedhor.

“Për një konsensus të përbashkët ndërpartiak, në mënyrë që të kemi 100 përqind sukses, dhe shpresoj se kjo do të ndodhë. Kur kjo të ndodhë, do të jetë në interes të shtetit, sepse negociatat e anëtarësimit do të ecin përpara. Agjenda e reformave dhe ajo që po bëni në Planin e Rritjes, nga njëra anë, dhe procesi i anëtarësimit, nga ana tjetër, në një pjesë do të bashkohen. Maqedonia e Veriut atëherë mund t’u bashkohet shumë më shpejt vendeve të përparuara”, tha Kos.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se pret që integrimi evropian të mbetet një proces i bazuar në kritere të qarta, në vlera dhe në përmbushjen e obligimeve reformuese, e jo një proces i ngarkuar me çështje dypalëshe që krijojnë pasiguri dhe frustrim te qytetarët maqedonas.

Ai vlerësoi se vizita e sotme e Kos është një mundësi për një bisedë të hapur, të sinqertë dhe thelbësore për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, për reformat që vendi po zbaton dhe për nevojën që, sipas tij, zgjerimi të mbetet në përputhje me parimet e BE-së – besimin, parashikueshmërinë, trajtimin e barabartë dhe respektimin e dinjitetit të çdo shteti kandidat.

“Besoj se bisedimet e sotme do të kontribuojnë në një mirëkuptim më të mirë të ndërsjellë dhe në forcimin e mëtejshëm të partneritetit me BE-në, të bazuar në besim, respekt dhe përgjegjësi të përbashkët për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit”, deklaroi kryeministri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments