BallinaLajmeRevizioni nxori zbuluar MEPSO-n: Miliona euro pa menaxhim, prona pa fletëpronësi dhe...

Revizioni nxori zbuluar MEPSO-n: Miliona euro pa menaxhim, prona pa fletëpronësi dhe punësime me parregullsi

Enti Shtetëror i Revizionit kreu revizion të raporteve financiare së bashku me revizion të pajtueshmërisë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shoqëri Aksionare për transmetimin e energjisë elektrike dhe menaxhimin e sistemit elektroenergjetik, në pronësi shtetërore Shkup (SHA MEPSO Shkup), për vitin 2024. Revizorët konstatuan se, edhe pse shërbimet kompetente në vazhdimësi ndërmarrin aktivitete për harmonizimin e veprimtarisë së shoqërisë me aktet pozitive ligjorë, janë konstatuar dobësi në evidencën dhe rregullimin e pronësisë së infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike, përfshirë edhe tokën transmeton Portalb.mk.

Një pjesë e pronës nuk ka status juridik të rregulluar, ndërsa për një pjesë tjetër nuk ekziston evidencë e saktë kontabël.

Rrjeti transmetues i SHA MEPSO Shkup përfshin 112 linja të transmetimit, ku për 53 prej tyre e drejta e pronësisë është regjistruar në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive, ndërsa për 59 linja të transmetimit shoqëria nuk disponon me fletëpronësi .

Për këtë pasuri janë iniciuar procedura për përcaktimin e statusit juridik, por ato janë të ndërlikuara dhe afatgjata për shkak të numrit të madh të lokacioneve dhe marrëdhënieve të pazgjidhura pronësorejuridike, ndërsa në raste të caktuara nuk mund të përcaktohet baza për fitimin e së drejtës së pronësisë.

Ekzistojnë akoma çështje të pazgjidhura pronësore-juridike lidhur me 33 nënstacione transformuese që janë në bashkëpronësi të SHA MEPSO Shkup dhe SHA EVN Maqedoni, ku për këto objekte, e drejta e bashkëpronësisë është regjistruar vetëm në emër të SHA EVN Maqedoni, ose ato ndodhen në procedurë të regjistrimit të të drejtave të pronësisë, përkatësisht në procedurë të marrjes në pronësi.

Shoqëria në disa raste ka iniciuar procedura për zgjidhjen e çështjes së pronësisë së nënstacioneve transformuese. Në vitin 2025 është formuar një grup i përbashkët pune, i cili ka rënë dakord që procesi të realizohet në dy faza, përmes transferimit të ndërsjellë të së drejtës së bashkëpronësisë (pjesës përkatëse ideale) mbi nënstacionet transformuese të regjistruara në emër të secilës prej shoqërive, ndërsa për nënstacionet e paregjistruara vazhdon përcaktimi i gjendjes faktike dhe rregullimi përfundimtar i të drejtave pronësore.

“Për më tepër, konstatuam se me të dhënat e disponueshme në evidencën kontabël të vendosur për linjat e transmetimit dhe nënstacionet transformuese (të evidentuara sipas pjesëve, në llogari të ndryshme për objekte ndërtimore, impiante dhe pajisje, si dhe me emërtime të paharmonizuara), nuk është e mundur të konfirmohet numri dhe vlera e tyre. Kjo gjendje ndikon në lartësinë e tarifës për transmetimin e energjisë elektrike, e cila përcaktohet me vendim nga Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRE), në bazë të të dhënave kontabël dhe evidencave financiare të dorëzuara nga SHA MEPSO Shkup”, thuhet në raportin e Revizionit.

Mjetet materiale në përgatitje nuk janë njohur dhe evidentuar në mënyrë të rregullt, ku një pjesë e tyre i referohen projekteve të përfunduara që nuk janë vënë në përdorim (74.176 mijë denarë), ndërsa për një pjesë tjetër nuk mund të konfirmohet gjendja, nevoja dhe arsyeshmëria e tyre për shkak të mungesës së dokumentacionit (19.100 mijë denarë).

Për shkak të mosnjohjes me kohë të këtyre mjeteve, nuk është përllogaritur dhe njohur shpenzimi i amortizimit në periudhën paraprake dhe në periudhën rrjedhëse, që ka ndikuar edhe në rezultatin e realizuar financiar nga veprimtaria. Gjithashtu, në rezultatin e realizuar nga veprimtaria për vitin 2024 ka ndikuar edhe mosparaqitja e shpenzimit në bazë të mjeteve të shpenzuara me vlerë aktuale prej 16.386 mijë denarë , të konstatuara gjatë regjistrimit, si dhe amortizimi i papërllogaritur për një pjesë të mjeteve materiale të sapo furnizuara dhe investimeve që rrisin afatin e dobishëm të përdorimit, kapacitetin dhe funksionalitetin e mjeteve, në vlerë totale prej 16.419 mijë denarë.

Revizorët në raportin zbuluan se në trembëdhjetë viteve të fundit, SHA MEPSO ka realizuar aktivitete të rëndësishme investuese për ndërtimin, rindërtimin, revitalizimin dhe modernizimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike, me ç’rast konstatuam se shkalla e realizimit të tyre varion nga 9% deri në 62%.

Te një pjesë e projekteve është evidentuar rritje e vlerës së kontratave të lidhura, zgjatje e afateve për realizimin e tyre, ndërsa dy kontrata, të cilat ishin realizuar pjesërisht, janë ndërprerë.

Te tre projekte është evidentuar rritje e vlerës së kontratave të lidhura fillimisht, ku rritja më e madhe, prej 51% (1.481.657 euro), është regjistruar te projekti ,,Revitalizimi i linjës së transmetimit 110 kV Nënstacioni Shkup 4 – Nënstacioni Veles”, vlera e të cilit pas rritjes arrin në gjithsej 4.393.609 euro, ndërsa, zgjatja më e madhe e afatit, prej pesë vitesh e tetë muajsh, është konstatuar te projekti “Rindërtimi i linjës së transmetimit 110 kV Nënstacioni Manastir 1 – Nënstacioni Prilep”.

Njëkohësisht, për projektin “Ndërtimi i linjës së transmetimit 110 kV TS Vallandovë – TS Miletkovë”, megjithëse në qershor të vitit 2024 është miratuar një hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në shumën prej 26.400.000 euro, ende nuk kanë filluar aktivitetet e ndërtimit. Si pasojë, për miratimin e huasë dhe komisionet për mjetet e patërhequra janë paguar gjithsej 155.672 euro (prej të cilave 22.205 euro në vitin 2024). Këto gjendje ndikojnë negativisht në modernizimin dhe sigurinë e rrjetit të transmetimit dhe tregojnë nevojën për menaxhim më efikas të projekteve investuese.

SHA MEPSO Shkup shfrytëzon disa linja kreditore nga institucione financiare ndërkombëtare për financimin e investimeve, ku një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të miratuara nuk është tërhequr, që rezulton me shpenzime shtesë për komisione dhe interesa. Shuma totale e huave aktuale të miratuara arrin në 102.400.000 euro, nga të cilat 52%, përkatësisht 53.434.992 euro, nuk janë tërhequr. Për këtë arsye, gjatë vitit 2024 është paguar një komision në vlerë prej 245.629 euro (gjithsej 2.633.953 euro për periudhën nga miratimi i huave deri në fund të vitit 2025) . Përfundim të vitit 2024, për huatë e marra janë paguar provizione për miratim dhe për mjetet e patërhequra, si dhe interesa në shumën totale prej 8.996.052 euro, që përfaqëson 8,8% të shumës së përgjithshme të huave të miratuara .

Mosshfrytëzimi me kohë i huave rrit barrën financiare dhe ngadalëson realizimin e projekteve strategjike për sistemin e transmetimit të energjisë elektrike. Kërkesat nga huatë e dhëna shoqërive aksionare në pronësi shtetërore arrijnë në 591.990 mijë denarë (afërsisht 9.594.652 euro) dhe janë rritur më shumë se 10 herë krahasuar me vitin 2020.

Dhënia e huave nuk përbën veprimtarinë themelore të SHA MEPSO Shkup, prandaj kjo praktikë ndikon negativisht në likuiditetin dhe gjendjen financiare të shoqërisë. Një pjesë e kërkesave të shoqërisë (12%) janë më të vjetra se tre vjet , ku pjesa më e madhe e tyre përbëhet nga kërkesa në bazë të disbalancave të shkaktuara nga persona juridikë – tregtarë të energjisë elektrike (PPB), si dhe nga kërkesa për shfrytëzimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit. Për arkëtimin e kërkesave të maturuara janë ndërmarrë masa përmes riprogramimit të borxheve dhe procedurave përmbarimore, por për disa lëndë që datojnë prej një periudhe më të hershme nuk janë dhënë shpjegime për arsyet që kanë çuar në mosarkëtimin e këtyre kërkesave. Duke pasur parasysh strukturën e vjetërsisë së kërkesave, si dhe pasigurinë që shoqëron procedurat e gjata përmbarimore, theksojmë se ekziston pasiguri lidhur me arkëtimin e tyre.

“Me revizionin e kryer konstatuam se të ardhurat nga veprimtaria kryesore – transmetimi i energjisë elektrike – shënojnë rritje , kryesisht për shkak të tarifave më të larta të transmetimit, edhe pse sasia e energjisë së transmetuar ka pësuar një rënie të lehtë. Njëkohësisht, të ardhurat nga kapacitetet ndërkufitare të transmetimit janë rritur ndjeshëm, disbalancat në rrjetin e transmetimit tregojnë trend stabilizimi, ndërsa humbjet në rrjet janë zvogëluar, megjithëse kostot për mbulimin e tyre vazhdojnë të ndikohen nga çmimet e energjisë elektrike. Te 65% e personave të sapopunësuar (45 persona) janë konstatuar parregullsi lidhur me përmbushjen e kushteve të përcaktuara në shpalljen publike dhe aktin e sistematizimit dhe shpërndarjen në vendet e punës, ndërsa te një pjesë të tyre, menjëherë pas punësimit është kryer risistemim ose avancim”, thuhet në raport.

Në vitin 2024, SHA MEPSO Shkup ishte objekt i një sulmi kibernetik që shkaktoi mosdisponueshmëri të përkohshme të një pjese të sistemeve dhe të dhënave të TI-së, pa u cenuar transmetimi i energjisë elektrike. Ky incident tregon nevojën për forcimin e mëtejshëm të sigurisë kibernetike përmes masave teknike dhe organizative.

“Për më tepër, në raport informojmë për nevojën e sanimit të fasadës së dëmtuar gjatë viteve 2020 dhe 2021, për rikonstruksionin dhe adaptimin e së cilës, në periudhën 2013–2018, janë shpenzuar 547.058 mijë denarë, përkatësisht rreth 8.866.400 euro”, thuhet në raport.

Me revizionin e kryer, thuhet në raport, “konstatuam edhe gjendje të tjera që lidhen me inventarizimin e kryer, mjetet e nxjerra jashtë përdorimit, vjedhjen e raportuar, realizimin e Programit Vjetor të Investimeve, mënyrën e financimit të organizatave sindikale pranë SHA MEPSO Shkup, llogaridhënien e personave të angazhuar përmes kontratave autoriale, mënyrën e ndarjes së sponsorizimeve dhe donacioneve dhe çështje të tjera që ndikojnë në funksionimin e shoqërisë”.

Kujtojmë se në raportin paraprak, në Revizionin e kryer në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 është konstatuar se të ardhurat e rritura nuk janë të mjaftueshme për mbulimin e deficitit për pagesën e pensioneve në vitin 2024 dhe për këtë arsye, kryhen transfere nga Buxheti i shtetit, të cilat përbëjnë 36,71% të të ardhurave totale të Fondit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments