“Al Arabiya” njoftoi se ka siguruar një kopje të marrëveshjes prej 14 pikash, të cilën pritet ta nënshkruajnë Uashingtoni dhe Teherani të premten.
Sipas dokumentit, Irani dhe SHBA-ja, së bashku me aleatët e tyre në luftën aktuale, do të shpallin një përfundim të menjëhershëm dhe të përhershëm të luftës në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.
Marrëveshja parasheh respektim të ndërsjellë të sovranitetit, vazhdimin e negociatave për një marrëveshje përfundimtare brenda një afati maksimal prej 60 ditësh, heqjen e bllokadës detare amerikane, rivendosjen e qarkullimit detar, tërheqjen e forcave amerikane nga zonat përreth pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare, përjashtime për eksportin e naftës iraniane, lirimin e fondeve iraniane të ngrira dhe një plan për rindërtimin ekonomik të Iranit me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë.
Irani do të përsërisë në dokument se nuk do të prodhojë kurrë armë bërthamore, ndërsa çështja e materialit të pasuruar dhe temat e tjera bërthamore do të zgjidhen në marrëveshjen përfundimtare. Deri atëherë, të dyja palët do të ruajnë status quo-në: Irani në programin e tij bërthamor, ndërsa SHBA-ja në regjimin e sanksioneve dhe praninë ushtarake në rajon.
Marrëveshja përfundimtare pritet të ratifikohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara
E konceptuar në këtë mënyrë, marrëveshja përfaqëson një përfitim të konsiderueshëm për Iranin. Teherani do të fitonte heqjen e bllokadës detare, rikthimin e eksporteve të naftës, qasje në fondet e ngrira, mundësinë e heqjes së sanksioneve dhe një plan rindërtimi ekonomik me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë, ndërsa në këtë fazë do t’i kërkohej vetëm të përsëriste zotimin se nuk do të prodhojë armë bërthamore dhe të ruajë status quo-në në programin e tij bërthamor derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
