BallinaLajmeQeveria e RMV-së promovoi investim të ri në Tetovë, pas dështimit të...

Qeveria e RMV-së promovoi investim të ri në Tetovë, pas dështimit të disa projekteve të mëparshme 21 milionë euro investim dhe 550 vende pune.

Kompania multinacionale “Cavo Otomotive”, e specializuar në prodhimin e sistemeve të sigurisë dhe komponentëve për industrinë automobilistike, ka paralajmëruar investim të ri në Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale (ZZHTI) në Tetovë. Sipas informacioneve të prezantuara nga kryeministri Hristijan Mickoski, kompania planifikon të transferojë në Tetovë një pjesë të prodhimit që aktualisht realizohet në Turqi dhe Sllovaki. Sipas planeve të kompanisë, investimi do të realizohet në faza, duke filluar me shfrytëzimin e një objekti ekzistues prej 8.000 metrash katrorë, ndërsa kapacitetet parashikohet të zgjerohen deri në 21.000 metra katrorë deri në vitin 2028, transmeton Portalb.mk.

Për periudhën 2026-2030 është paralajmëruar investim prej rreth 20 deri në 21 milionë euro. Kompania vlerëson se me arritjen e kapacitetit të plotë të prodhimit mund të hapen nga 400 deri në 500 vende pune, ndërsa eksportet vjetore të arrijnë deri në 45 milionë euro.“Investimi, siç u përmend tashmë, do të fillojë me marrjen me qira të një objekti ekzistues, që do të thotë se bëhet fjalë për një investim “brownfield”, me sipërfaqe prej 8.000 metrash katrorë, ndërsa sipas planit zhvillimor të kompanisë, kapacitetet do të zgjerohen deri në 21.000 metra katrorë deri në vitin 2028. Në pesë vitet e para, përkatësisht në periudhën 2026–2030, kompania planifikon të investojë përafërsisht, siç u përmend tashmë, rreth 20–21 milionë euro. Ky investim do të sjellë edhe mundësi të reja punësimi. Sipas planit biznesor të kompanisë, do të hapen diku 400-500 vende të reja pune, në momentin kur kompania të arrijë kapacitetin e saj të plotë”, tha Mickoski.

Kompania ka bërë të ditur gjithashtu se eksportet vjetore mund të arrijnë deri në 45 milionë euro.

“Cavo Otomotive” operon prej më shumë se 40 vitesh në industrinë automobilistike dhe aktualisht ka aktivitete prodhuese në Turqi dhe vende të Evropës Qendrore, duke furnizuar kompani të njohura të sektorit automobilistik.

Megjithatë, realizimi i këtyre projeksioneve mbetet për t’u parë në praktikë. Në vitet e fundit, në Maqedoninë e Veriut janë paralajmëruar me bujë disa investime të mëdha të promovuara nga qeveritë si projekte strategjike, të cilat më pas janë vonuar ose nuk janë realizuar fare.

Një nga rastet më të njohura është projekti i fabrikës së automjeteve elektrike të kompanisë e.Go në Tetovë, i prezantuar në vitin 2022 si investim shumëmilionësh që do të hapte mijëra vende pune. Edhe pse projekti u promovua me vendosje gurthemeli dhe me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë, punimet nuk nisën asnjëherë, ndërsa në fund autoritetet njoftuan ndërprerjen e marrëveshjes për ndihmë shtetërore pas procedurave të falimentimit të kompanisë amë në Gjermani.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments