Në seancën 12 të Këshillit të Komunës së Tetovës si pikë e 9-të e rendit të ditës ishte miratimi i Llogarisë përfundimtare të Qendrës për zhvillim të rajonit planor të Pollogut për vitin 2025.
Ky propozim nuk u miratua pasi sipas këshilltarëve të makinerisë votuese, tabela e numrave me bilansin financiar është vetëm në gjuhën maqedonase.
Materialet që janë dërguar deri te këshilltarët 1 javë para nga administrata komunale janë edhe me sqarime tekstuale edhe në gjuhën shqipe, gjë që u cek edhe nga përfaqësuesi prezent në sallë, mirëpo shumica luajti “patriotin” duke u kapur te tabela nga Regjistri Qendror.
Kjo udhëheqësi komunale që është edhe pjesë e pushtetit qendror, duhet të ushtrojë presion për respektimin e ligjit për gjuhët në institucionet shtetërore siç është Regjistri Qendror, një nga institucionet që është luftuar nga iniciativa jonë gjatë regjistrimit të shoqatës, pasi aspak nuk respektohet apo sabotohet gjuha shqipe në vazhdimësi.
I bëjmë thirrje VLEN-it që mos veprojë si argat i VMRO, por të angazhohet për përfaqësim dinjitoz pasi shqiptarët nuk e durojnë vazalitetin konstant që pasqyrohet vite me radhë.
