BallinaLajmeSulm me zjarr ndaj makinave të Ambasadës bullgare në Shkup! Shkupi dhe...

Sulm me zjarr ndaj makinave të Ambasadës bullgare në Shkup! Shkupi dhe Sofja dënojnë aktin vandal

Në pikë të ditës, një person nxjerr nga qesja një shishe me benzinë dhe i spërkatë dy makina diplomatike të Ambasadës Bullgare në Shkup, duke iu vënë zjarrin.

Në pamjet e publikuara nga media bullgare “BG-NES” shihet një burrë, që nuk mbante as kapelë e as syze, kryen sulmin dhe ikën. Policia doli në vendngjarje pas pak minutash!“Nga policia thonë se dy makinat i përkasin ambasadës së Bullgarisë dhe kanë targa diplomatike, por thonë se nuk ka të lënduar dhe se zjarri është fikur shpejtë nga Njësiti i zjarrfikësve të Shkupit dhe se po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, raporton gazetari i TV21, Adnan Qaili.

Nga Ministria e brendshme thonë se në orën 12:13, policia mori njoftimin se në rrugën “Zllatko Shnajder” përpara Ambasadës së Bullgarisë ka shpërthyer zjarr në dy automjete pasagjerësh të tipit Kia dhe tjetri tipi Suzuki. Akoma nuk dihen motivet e kësaj zjarrvënie të qëllimshme.Ministria e jashtme e Bullgarisë e dënon ashpër këtë akt, siç e quajnë, demonstrativ agresioni, i cili rrezikon shëndetin dhe jetën e punonjësve të ambasadës bullgare në Shkup. Ata kërkojnë hetim të shpejtë dhe zbardhje të rastit. Shtojnë se shteti bullgar do të vazhdojë të përdorë të gjitha mekanizmat e vendosur për t’iu kundërvënë përpjekjeve për krijimin e një atmosfere frike për bullgarët në Maqedoninë e Veriut.

“Ky sulm i radhës ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve është rezultat i fjalorit agresiv politik që nxit urrejtje dhe mungesës së reagimit adekuat të institucioneve në raste të mëparshme të ngjashme, të cilat krijojnë ndjenjë pandëshkueshmërie për autorët. Kujtojmë se pas djegies së fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndaj Klubit Kulturor Bullgar në qytetin e Manastirit, në vend që të merrte ndëshkim adekuat, zjarrvënësi u heroizua dhe u përfshi në një fushatë politike zgjedhore”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Jashtme e dënuan ashpër vandalizmin para Ambasadës. Në reagim thuhet se shteti ka kapacitet dhe do të përgjigjet me të gjithë forcën e institucioneve dhe nuk do të lejojmë që individët të dëmtojnë reputacionin e Maqedonisë.

“Veprime të tilla përfaqësojnë një sulm ndaj parimeve të sigurisë, marrëdhënieve diplomatike dhe të drejtës ndërkombëtare dhe nuk duhet të ndodhin në një shtet demokratik. Institucionet kompetente tashmë po marrin masa intensive për të sqaruar plotësisht rastin dhe për të identifikuar autorët. Si Qeveri, duam të dërgojmë një mesazh të qartë se çdo përpjekje për të shkaktuar tension, për të përhapur urrejtje ose për të prishur sigurinë do të sanksionohet në masën maksimale”, potencojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Ky incident nuk është i pari i këtij lloji që ndodh ndaj Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, pasi më 11 janar 2026 ndodhi edhe një sulm tjetër kur një person i panjohur theu xhamin e derës hyrëse të ambasadës dhe u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas autoritetet e identifikuan dhe e arrestuan të dyshuarin, duke e trajtuar rastin si vandalizëm ndaj misionit diplomatik.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments