Raporti i revizionit i Entit Shtetëror për Revizion mbi punën e Institucionit Kombëtar Teatri Shqiptar – Shkup paraqet edhe një shembull alarmues se si për vite me radhë janë toleruar parregullsi në institucionet e kulturës, pa përgjegjësi serioze institucionale, thonë nga partia Levica.
Sipas tyre, veçanërisht shqetësuese janë pretendimet për pagesa të pagave për persona që nuk kanë ardhur në punë, si dhe shitja e biletave pa një akt të miratuar që përcakton çmimin e tyre.
“Nëse këto gjetje janë të sakta, atëherë nuk bëhet fjalë për lëshime administrative, por për cenim serioz të parimeve të ligjshmërisë, transparencës dhe menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve publike”, thonë nga Levica.
Shqetësim shtesë, siç shtojnë ata, paraqet fakti që Enti Shtetëror për Revizion ka evidentuar edhe dobësi në regjistrimin e orarit të punës, mungesë të evidencës materiale për mjetet, marrëdhënie të parregulluara lidhur me shfrytëzimin e pronës, si dhe mungesën e një akti për përcaktimin e çmimeve të biletave. Këto gjetje tregojnë një sistem menaxhimi ku kontrollet ose nuk funksionojnë, ose nuk ekzistojnë fare.
“Pyetja që publiku ka të drejtë ta shtrojë është: ku kanë qenë institucionet përgjegjëse deri më tani? Ku kanë qenë Bordi Drejtues, Ministria e Kulturës dhe mekanizmat e tjerë të kontrollit, ndërkohë që krijoheshin kushtet për situata të tilla? Revizioni nuk duhet të jetë momenti i vetëm kur shteti mëson se çfarë ndodh në një institucion kombëtar.
Veçanërisht simptomatike është se revizorët kanë vërejtur edhe funksionimin e Bordit Drejtues pa numrin e përcaktuar ligjërisht të anëtarëve, shfrytëzim të parregulluar të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe procese gjyqësore në vijim. Në vend të një institucioni që duhet të jetë shembull i menaxhimit profesional të resurseve publike, kemi një institucion të ngarkuar me probleme organizative dhe menaxheriale.
Duhet të theksojmë se kjo nuk është çështje e përkatësisë etnike, as çështje e një teatri të caktuar, por çështje e përgjegjësisë ndaj parave publike. Qytetarët financojnë institucionet kombëtare që ato të krijojnë kulturë, e jo të bëhen objekt i konstatimeve revizore për pagesa të dyshimta dhe procedura financiare të papërcaktuara.
Prandaj, pas publikimit të gjetjeve të tilla, nuk mjafton vetëm të konstatohen parregullsitë. Ministria e Kulturës duhet të bëjë publike masat që do të ndërmarrë, nëse do të përcaktohet përgjegjësi individuale dhe brenda cilit afat do të eliminohen dobësitë e konstatuara. Përndryshe, raportet e revizionit do të mbeten vetëm dokumente arkivore, ndërsa parregullsitë do të vazhdojnë të përsëriten.
Më shqetësuesja në gjithë këtë rast nuk janë vetëm parregullsitë e konstatuara, por përshtypja se për vite me radhë askush nuk e ka ndjerë detyrimin të reagojë. Nëse një institucion kombëtar funksionon me një sërë dobësish në menaxhim, atëherë problemi nuk është vetëm te një institucion, por te i gjithë sistemi që dukshëm ka dështuar.
Nëse ky raport përfundon si edhe një vërejtje tjetër pa pasoja konkrete, atëherë mesazhi për të gjitha institucionet publike do të jetë i qartë: revizioni është vetëm formalitet, ndërsa përgjegjësia varet nga përkatësia politike ose etnike”, thonë nga Levica.
Levica pyet nëse më në fund dikush do të mbajë përgjegjësi për atë që ka zbuluar revizioni. Në të kundërtën, do të vazhdojmë të jetojmë në një shtet ku skandalet konstatohet rregullisht, por nuk sanksionohen kurrë.
