Vetëm tre NP të themeluara nga Qyteti i Shkupit, NPT-ja, Ujësjellësi dhe Kanalizimi dhe Higjiena Komunale, e filluan këtë vit me një borxh total të prapambetur, dhe të papaguar prej gati 36.000.000 eurosh. Në listën e re të Ministrisë së Financave, ku janë renditur 900 borxhlinj, komunat dhe ndërmarrjet publike të themeluara nga komunat vazhdojnë të renditen lart – me detyrime që numërohen në miliona euro, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Obligimet e prapambetura dhe të papaguara të Tetovës, Gostivarit, Sarajit, Çairit, Zhelinës…
Në nivel shtetëror, Komuna e Gostivarit ka shumën më të lartë të borxhit të prapambetur prej gati 14.300.000 eurosh, dhe renditet e 9-ta në listën e re të borxhlinjve të Ministrisë së Financave. Komuna e Gostivarit ka ulur borxhin e saj krahasuar me fundin e dhjetorit të vitit 2025, por në nivel vjetor, krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, detyrimet janë rritur. Vetëqeverisja e dytë lokale është Komuna e Tetovës me një borxh prej gati 12.000.000 eurosh dhe është në vendin e 10-të, me një rënie në nivel tremujor, por ka rritje të detyrimeve në nivel vjetor.

Komuna e Zhelinës, sipas të dhënave nga ministria, në fund të marsit kishte një borxh të prapambetur në shumën prej pak më shumë se 3.666.000 eurosh, shumë kjo që është më e ulët se në dhjetor të vitit 2025, por më e lartë në nivel vjetor. Nga vetëqeverisjet lokale të Shkupit, Komuna e Sarajit raportoi një borxh prej 2.746.252 eurosh, ndërsa Komuna e Çairit e mbylli tremujorin e parë të këtij viti me një borxh prej gati 2.200.000 eurosh.
NP-të komunale kanë borxh mbi 107.000.000 euro
Borxhe milionëshe përsëri kanë raportuar edhe ndërmarrjet publike të themeluara nga vetëqeverisjet lokale – totali i detyrimeve të prapambetura dhe të papaguara në fund të marsit arriti në 107.650.000 euro, për rreth 370.000 euro më pak se në dhjetor të vitit të kaluar.
Në nivel shtetëror, nga të gjitha NP-të komunale (me përjashtim të NP-ve të themeluara nga Qyteti i Shkupit dhe Qeveria), NP “Ujësjellësi” – Kumanovë ka shumën më të lartë të borxhit prej gati 9.700.000 eurosh, e ndjekur nga NP “Komunalec” – Strumicë me një shumë borxhi prej gati 6.200.000 eurosh, ndërsa NPK – Tetovë raportoi detyrime në vlerë prej gati 5.900.000 eurosh.
Ndër NP-të e tjera komunale me borxhe milionëshe janë NP “Ujësjellësi” – Ohër me një shumë të borxhit prej mbi 5.300.000 euro, NP “Pastërtia dhe Gjelbërimi” – Kumanovë me pak më shumë se 4.360.000 euro dhe NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Strugë me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 4.316.477 eurosh.

