Rasti i djeshëm në Haraçinë i cili bëri bujë në opnion, ku policia ka shtënë me armë zjarri, pasi të njëjtët kanë tentuar ta ndalojnë një kamion, i cili ishte i ngarkuar me dru, sot nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë dalë me sqarim rreth ngjarjes. Sipas MPB-së, policia gjatë ditës së djeshme ka shtënë me armë në formë paralajmëruese gjatë ndjekjes së një personi të dyshuar për kontrabandë me dru.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Më 24.05.2026 rreth orës 12:00, në hyrje të fshatit Haraçinë, në rajonin e Shkupit, zyrtarët policorë i kanë dhënë shenjë për ndalim një kamioni të ngarkuar me dru, por shoferi nuk është ndalur dhe ka vazhduar lëvizjen. Më pas, shoferi e ka drejtuar kamionin drejt policëve dhe automjetit zyrtar, pas së cilës policët kanë shtënë plumba paralajmërues në ajër. Shoferi i ka shkarkuar drutë në rrugë dhe është larguar me automjetin në drejtim të panjohur. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa drutë i janë dorëzuar Policisë Pyjore. Po ndërmerren masa për gjetjen e shoferit dhe automjetit”.
Reagim për këtë ngjarje ka bërë edhe kryetari i komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, i cili thotë se çdo aksion nga policia duhet të zhvillohet me profesionalizëm dhe kujdes maksimal ndaj sigurisë së qytetarëve.
DAUT BEQIRI, KRYETAR I KOMUNËS SË HARAÇINËS
“Menjëherë pas rastit të ndodhur në Haraçinë, dola në vendin e ngjarjes për ta parë nga afër situatën dhe për të biseduar me qytetarët. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por shqetësimi tek banorët ishte i madh, pasi ngjarja ndodhi në një zonë të banuar me familje. Si kryetar komune, jam për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit, por çdo aksion duhet të zhvillohet me profesionalizëm dhe kujdes maksimal ndaj sigurisë së qytetarëve”.
Beqiri kërkon nga institucionet kompetente që rasti të shqyrtohet me seriozitet, në mënyrë që siç tha, raste të tilla të mos përsëriten dhe qytetarët të ndihen të sigurt në vendin e tyre.
/SHENJA/
youtube.com/watch?v=DlRDddjToec&source_ve_path=OTY3MTQ&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fshenja.tv%2F
