Ndërtimet pa leje në komunën e Çairit nuk janë ndalur, pavarësisht akuzave nga ish-kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për Portalb.mk deklaruan se ende po përpunojnë kallëzimet penale të ngritura nga Arsovska. Ndërkaq, nga opozita kritikojnë se ndërtimet pa leje po vazhdojnë dhe akuzojnë udhëheqësinë aktuale për tolerim të ndërtimeve të paligjshme dhe marrëveshje të dyshimta që, sipas tyre, po dëmtojnë hapësirat publike, hapësirat e gjelbra, këndet e lojërave dhe infrastrukturën rrugore, shkruan Portalb.mk.Nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për Portalb.mk kanë deklaruar se ata ende po përpunojnë kallëzimet penale të ngritura nga ish-kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe rasti në fjalë është në procedurë paraprake hetimore.
“Një sërë urdhëresash janë lëshuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe janë ndërmarrë veprime të tjera. Përveç kësaj, lënda në të cilin ka punuar një prokuror publik nga Prokuroria Publike e Shkupit është dorëzuar në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dhe është bashkuar me rastet e tjera. Ndërkohë, rastin është duke e ndjekur prokurori publik i sapozgjedhur i cili do të duhet ta analizojë dhe të marrë një vendim për rrjedhën e procedurave të mëtejshme dhe miratimin e urdhëresave të reja të mundshme për ndërmarrjen e veprimeve të tjera”, thonë nga Prokuroria.
