www.telegrami.mk
Deklarata e Ministrit të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Azir Aliu, tingëllon më shumë si një premtim teorik sesa një plan i zbatueshëm. Ideja se rregullimi i listave të pritjes do të zhdukë miton në shëndetësi jo vetëm që nuk është futuriste, por bie ndesh me realitetin e përditshëm që qytetarët e përjetojnë prej vitesh.Që nga fillimet e njerëzimit, korrupsioni ka qenë pjesë e shoqërisë – një fenomen i rrënjosur thellë në sisteme të dobëta dhe mungesë llogaridhënieje. Të pretendosh se ai do të zhduket vetëm me një riorganizim administrativ është, në rastin më të mirë, naivitet politik.
Dëshmitë nga terreni flasin ndryshe. Qytetarët përballen me pritje të gjata, shpesh muaj apo edhe më shumë, për ndërhyrje jetike. Në shumë raste, rruga e vetme për të përshpejtuar procedurat mbetet ryshfeti ose ndërhyrjet përmes lidhjeve personale. “Nëse nuk ke para ose miq, nuk ekziston në sistem” – kjo është përmbledhja brutale e realitetit.
Problemet nuk ndalen vetëm te korrupsioni. Sistemi shëndetësor përballet me mungesë të theksuar të personelit, kapacitete të kufizuara dhe një presion në rritje, sidomos në sektorë të ndjeshëm si geriatria. Edhe vetë drejtues të institucioneve pranojnë se nuk ka zgjidhje të shpejtë për këto sfida, gjë që e bën deklaratën e ministrit edhe më të shkëputur nga realiteti.Pa reforma të thella strukturore, rritje të kapaciteteve dhe një luftë serioze kundër korrupsionit në çdo nivel, lista e pritjes do të mbetet vetëm një tjetër premtim i bukur në letër. Qytetarët nuk kanë nevojë për slogane optimiste, por për rezultate konkrete – sepse në shëndetësi, çdo vonesë kushton shëndet, e ndonjëherë edhe jetë…www.telegrami.mk
============================================================
Mesut Shabani

