Reagim i ashpër nga deputeti i Lëvizjes VLEN, Adnan Azizi, drejtuar liderit të BDI-së, Ali Ahmetit. Sipas Azizit, BDI ka rënë në nivelin e relativizimit dhe amnistimit të krimeve ndaj shqiptarëve vetëm për të ruajtur karriget e pushtetit. Deputeti i Lëvizjes VLEN, Adnan Azizi, përmes një reagimi publik ka goditur ashpër udhëheqësinë e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke i akuzuar ata për hipokrizi dhe tradhti ndaj interesave kombëtare në këmbim të pushtetit.
Azizi ka theksuar se ka dëshmi personale që vërtetojnë se kush janë “vazalët e vërtetë” në skenën politike, duke iu referuar direkt qasjes së BDI-së ndaj figurave që kanë kryer krime mbi shqiptarët.
“Pushteti mbi gjakun e shqiptarëve”
Në reagimin e tij, Azizi nuk ka kursyer fjalët, duke e quajtur liderin e BDI-së një “hipokrit” që në kohë pushteti shndërrohet në avokat të figurave antishqiptare.Kur ky hipokriti është në pushtet relativizon, amniston dhe arsyeton, bile i bëhet avokat një krimineli dhe antishqiptari që kreu krime ndaj shqiptarëve,” shprehet Azizi në reagimin e tij.
Akuzat për montime dhe heshtje
Sipas eksponentit të VLEN, shqetësimi i vetëm i Bashkimit Demokratik për Integrim gjatë viteve ka qenë mbajtja e pozitave administrative, duke mbyllur sytë para rasteve të rënda që kanë goditur popullatën shqiptare.
“Juve gjithmonë u ka interesuar vetëm pushteti. Nëse jeni në pushtet, gjithçka është OK, pavarësisht nëse vriten, burgosen, rrihen apo montohen shqiptarët,” përfundon Azizi.
Ky reagim vjen në një kohë tensionesh të larta politike mes koalicionit VLEN dhe Frontit Europian, ku beteja për legjitimitetin dhe përfaqësimin e shqiptarëve po ashpërsohet dita-ditës.
