BallinaLajmeRamiz Merko e akuzoi BDI-në për standarde të dyfishta: Qëndruan në mbrojtje...

Ramiz Merko e akuzoi BDI-në për standarde të dyfishta: Qëndruan në mbrojtje të Bexhetit dhe Deharit, por u distancuan nga unë

Ish-kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko i BDI-së, ka akuzuar partinë e tij amë se ka aplikuar standarde të dyfishta ndaj tij, për shkak se nuk e ka mbrojtur përballë akuzave penale, ashtu siç BDI po mbron tani ish-kryetarët e komunave të Sarajit dhe Kërçovës, Blerim Bexhetin dhe Fatmir Deharin.Në një postim në Facebook, Merko tha se kishte ndjekur nga afër deklaratat e BDI-së për presionin politik ndaj Bexhetit dhe Deharit dhe se ishte dakord me kërkesën e partisë për drejtësi politike jo-selektive dhe të barabartë. Pyetja që lind natyrshëm, shtoi ai, është pse këto parime nuk vlejnë për të gjithë në mënyrë të barabartë.“Unë, si dikush që për më shumë se dy dekada kam qenë pjesë aktive e jetës politike, që kam mbajtur përgjegjësi institucionale dhe kam kontribuar në fitore të rëndësishme elektorale në Strugë dhe në zonën zgjedhore 5, e kam përjetuar drejtpërdrejt këtë standard të dyfishtë. Në disa cikle zgjedhore, pikërisht zona jonë ka bërë diferencën në balancën e mandateve. Por në momentin kur u përballa me procese gjyqësore, mbështetja mungoi. Përkundrazi, u krijua një distancim i hapur, madje deri në mohimin e lidhjes sime me strukturat”, shkroi Merko.Merko kritikon veçanërisht BDI-në për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë si ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, ndaj të cilit, siç thotë ai, pavarësisht akuzave serioze për korrupsion, reagimet e partisë kanë qenë të kujdesshme, të përmbajtura dhe madje mbrojtëse.Në njërën anë relativizohen akuza të rënda për korrupsion, ndërsa në anën tjetër heshtet për procese që lidhen me vendimmarrje administrative dhe çështje identitare. Akuzat ndaj meje nuk kanë qenë për korrupsion të provuar apo krime financiare, por për çështje administrative dhe vendimmarrje institucionale si emërime drejtorësh apo vendosje simbolesh që lidhen me historinë dhe identitetin shqiptar. Megjithatë, këto u trajtuan si probleme, ndërkohë që në praktikë janë pjesë e përditshmërisë institucionale në vend”, shkroi Merko.

Ish-kryetari i Komunës së Strugës mbështet të gjithë ish-zyrtarët e BDI-së që po përballen me çdo presion që mund të konsiderohet i motivuar politikisht, por thekson se drejtësia e barabartë nuk mund të kërkohet vetëm në raste të caktuara. Nuk mund të ketë, thotë ai, mbështetje politike për disa dhe heshtje për të tjerët.

Reagimi i Merkos vjen pasi BDI-ja opozitare dje akuzoi qeverinë se vazhdimisht po shënjestron ish-kryetarët e Komunës nga radhët e saj, siç janë Blerim Bexheti nga Saraji dhe Fatmir Dehari nga Kërçova, kundër të cilëve u ngritën disa kallëzime penale në të kaluarën.

Kryetari i Strugës Ramiz Merko është në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për shkak të përfshirjes në korrupsion. Ndaj tij janë ngritur nëntë akuza për sjellje të pahijshme në detyrë.

Zyrtari i BDI-së dhe kryetar i Komunës së Strugës, Ramis Merko, ndiqet për dhjetëra vepra penale. MPB-ja, nga viti 2007 e deri në viti 2024 i ka ngritur 12 padi penale. 18 vepra kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe dy për pakujdesi gjatë punës në shërbim. Kallëzimi i fundit penal kundër Merkos është më nëntor 2025 nën dyshimin për dëmtim ose shkatërrim të pronës nën mbrojtje të përkohshme ose trashëgimisë kulturore ose rariteteve natyrore

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments