Kryeministri Edi Rama ironizoi Partinë Demokratike dhe protestat kombëtare që ka mbajtur javët e fundit kundër qeverisë së tij dhe skandaleve të Belinda Ballukut dhe AKSHI-t, duke theksuar se “duan të mbushin dy orë TV-të”.Sipas tij, edhe në Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi që kanë patur probleme të gati një konflikti civil, kundërshtarët atje nuk shkonin që të flisnin keq në Bruksel për qeverinë, duke respektuar sipas tij vendin.
Me ironi, ai shtoi se Partia Demokratike e bën këtë gjë, duke folur keq për qeverinë jashtë vendit në një kohë kur vendi ndodhet në një moment historik, sipas tij, drejt anëtarësimit.
“Për çfarë e bëjnë ata aty, iu duhet të mbushin dy orë tv. Çfarë po iu duhet se ça është apo jo e vërtetë. Hajde kap dy shqipo atje që iu duket sikur iu rritet vlera kur flasin e intervistohen nga gazetarë të huaj dhe fut e bjer Shqipërisë.
Çfarë jeni ju? Ore ka pasur gati luftë civile në Maqedoni, nuk shkonin kundërshtarët e qeverisë nga Shkupi në Bruksel dhe të ulnin e ngrinin RMV një vend për t’u dënuar. More nuk e bënin.
Ka pasur në Mal të Zi gati konflikt civil se ata janë gjysma këtej e andej, nuk shkonin në Bruksel të ulnin e ngrinin njëri tjetrin. Bullgaria sot nuk gjen rehat, është në BE, nuk gjen rehat nga lufta e brendshme.
Mezi bëjnë qeveri, pesë palë zgjedhje në vit. Nuk shkojnë në Bruksel të thonë dënoni Bullgarinë. Çfarë është ky tmerr.
Pse atje fitohet beteja politike, duke i furnizuar mediat e huaja me baltë? Nuk fitohet beteja politike duke paguar gazetarë e duke paguar portale jashtë për të nxjerrë baltë nga Shqipëria. Diçka e pabesueshme dhe kur sot që jemi kaq afër një momenti historik, sot që për herë të parë fati po iu buzëqesh shqiptarëve.”, tha Rama.
