7.2 C
Tetovo
E premte, 3 Prill, 2026
BallinaLajmeStudentët thirrje politikanëve: Dilni nga llogaritë partiake dhe mbështesni protestën

Studentët thirrje politikanëve: Dilni nga llogaritë partiake dhe mbështesni protestën

Unionet e studentëve nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore u kanë bërë thirrje publike partive politike, deputetëve dhe funksionarëve shtetërorë që të mbështesin protestën e paralajmëruar për të drejtën e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA.

Në një thirrje publike, studentët theksojnë se kjo nuk është çështje politike, por një e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë dhe ligj, e cila sipas tyre, vazhdon të mohohet në praktikë prej vitesh.

“Përtej dallimeve politike dhe interesave partiake, kjo është një çështje që na përket të gjithëve”, thuhet në thirrjen e tyre, duke theksuar se ata përfaqësojnë gjeneratën që do të mbajë përgjegjësinë për të ardhmen e vendit.

Studentët nënvizojnë se tani është momenti për qëndrim të qartë publik nga përfaqësuesit politikë, duke shtuar se përfaqësimi nuk duhet të mbetet vetëm në mandate, por të reflektojë përgjegjësi konkrete ndaj qytetarëve.

Protesta është paralajmëruar për 6 prill në ora 12:30 në Shkup, me marshim që do të nisë nga Ura e Gurit.

Në fund të thirrjes, studentët u bëjnë apel të gjitha subjekteve politike që të tejkalojnë ndasitë dhe të rreshtohen në mbështetje të kërkesës së tyre, duke marrë pjesë në protestën paqësore.

“Historia i mban mend ata që qëndrojnë në anën e drejtë”, theksohet në reagim. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments