Sipas Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Marin Raykov, mbi 210 mijë qytetarë nga Maqedonia e Veriut kanë deklaruar dhe kanë paraqitur dokumente që dëshmojnë origjinën e tyre etnike bullgare. Ky pretendim vjen në një periudhë kur Sofja po rrit presionin ndaj Shkupit për përfshirjen e bashkësisë bullgare në Kushtetutën e vendit.
“Po flasim për persona që kanë ardhur në territorin e Bashkimit Evropian për të deklaruar origjinën e tyre bullgare. Më e rëndësishmja është që ata kanë paraqitur dokumente që e vërtetojnë këtë origjinë. Këta 210 mijë njerëz përfaqësojnë padyshim një pjesë të atyre që kanë një vetëdije të tillë. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në çdo rast, bëhet fjalë për një grup të konsiderueshëm,” deklaroi Raykov për televizionin bullgar BNT.
Ai gjithashtu rikujtoi qëndrimin e Bullgarisë dhe të Bashkimit Evropian se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshime kushtetuese dhe të përfshijë bashkësinë bullgare, si kusht për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE.
