– Lëvizjet e realizuara te treguesit kryesorë makroekonomikë për momentin janë në përputhje me pritjet, por me rreziqe të theksuara për shkak të pasigurisë lidhur me intensitetin dhe kohëzgjatjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, përfundoi Këshilli i Bankës Popullore në mbledhjen e tij të rregullt, në të cilën shqyrtoi treguesit më të fundit ekonomikë, shkruan gazeta KOHA.
Që nga fillimi i vitit 2026, norma vjetore e inflacionit ka ndjekur një trajektore në rënie dhe në muajin shkurt është ulur në 2.9 për qind, në përputhje me pritjet, me një ngadalësim më të theksuar të çmimeve te komponenti bazë. Megjithatë, për shkak të zhvillimeve ushtarake dhe ndërprerjes së furnizimit me energjentë nga vendet e Gjirit, pritjet për një pjesë të çmimeve të importit, veçanërisht për çmimet e naftës, janë rishikuar dukshëm në rritje krahasuar me projeksionet e tetorit, gjë që paraqet rrezik në rritje për inflacionin në periudhën e ardhshme, njoftojnë nga Këshilli i Bankës Popullore.
Sipas të dhënave, rezervat valutore kanë shënuar rritje që nga fillimi i vitit, ndërsa në segmentin monetar, rritja e depozitave dhe kredive deri në fund të shkurtit është solide dhe mesatarisht mbi pritjet për tremujorin e parë të vitit. Këshilli vlerësoi se gjendja makroekonomike për momentin është stabile dhe në përputhje me projeksionet e fundit, por situata do të vazhdojë të monitorohet edhe në vijim.
