Ndërtimi i Korridorit 8 në Maqedoninë e Veriut është vendosur në qendër të debatit publik për shkak të akuzave për devijim të projektit, shkurtimit të fondeve dhe largimin nga puna të punëtorëve, shkruan Portalb.mk.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka thënë se Qeveria po mundohet të ndalojë punimet në Korridorin 8.
“Burime të sigurta flasin se Qeveria, nëpërmjet këtij kushtëzimi financiar, mundohet që të devijojë dhe të ndalojë punimet që kanë të bëjnë me Korridorin 8 dhe në këtë formë, të përjashtojë nga këto projekte infrastrukturore të gjithë Pollogun”, tha Sela.
Ai theksoi se në këtë mënyrë, Qeveria mundohet që investimet t’i shtyjë në aspekt të interesave të botës serbe dhe ndikimit rus.
“Qeveria mundohet të ndal punimet që kanë nisur në korridorin 8 dhe punimet të vazhdojnë në drejtim të ndërtimit të segmentit Ohër-Manastir, Manastir-Prilep në mënyrë që direkt të bëhet lidhje përsëri me korridorin 10d. Kur flasim për këtë korridor qartazi shihen tendencat për të anashkaluar dhe për ta lënë pa ndërtuar korridorin 8”, theksoi Sela.
Për këtë çështje ka reaguar edhe deputetja e BDI-së, Rina Ajdari. Ajo thotë se shkurtim të mjeteve financiare për Korridorin 8 dhe 10d ka pasur që në buxhetin e votuar për vitin 2026 dhe ata si grup parlamentar kemi parashtruar amandament me të cilin kanë kërkuar që të zmadhohen mjetet nga 6,3 miliardë denarë të parashikuara në buxhet në 15 miliardë denarë.
“Rritja e buxhetit në 15 miliardë denarë do të mundësonte përshpejtimin e punës dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Ky amandament atëherë u refuzua pa asnjë arsyetim nga shumica parlamentare. Nuk është rastësore edhe largimi nga puna i mbi 50 punëtorëve pikërisht në këtë fazë të punimeve. Këtu është e qartë se bëhet fjalë për reduktim të mjeteve sepse të njëjtat janë shkurtuar që në planifikimin e buxhetit për vitin 2026”, tha Ajdari.
Nga ana tjetër, zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri ka mohuar të ketë ulje drastike të mjeteve për Korridorin 8.
“Sipas planprogramit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, për vitin 2026 për projektet e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d janë paraparë rreth 103 milionë euro. Nga këto mjete, mbi 60 milionë euro tashmë janë lëshuar gjatë këtij viti, në mënyrë që kompania realizuese të vazhdojë punimet në terren sipas planprogramit dhe dinamikës së paraparë. Kjo dëshmon qartë se nuk bëhet fjalë për reduktim të mjeteve, por për vazhdim të realizimit të projektit sipas planifikimit financiar dhe operacional”, tha Zekolli Shaqiri.
Sa i përket segmentit të fundit që realizon lidhjen me Shqipërinë, zëvendësministrja tha se traseja e projektuar nga qeveria e kaluar nuk ka qenë e verifikuar në raport me kufizimet që lidhen me zonat e mbrojtura nga UNESCO.
“Kjo është një çështje që e kemi trashëguar nga vendimmarrjet e mëparshme. Megjithatë, për të vepruar me përgjegjësi institucionale, projekti me trasenë e paraparë është dërguar për shqyrtim në UNESCO dhe institucionet do të veprojnë në përputhje me vlerësimin përfundimtar. Në të njëjtën kohë po shqyrtohen edhe alternativa të tjera të mundshme, sepse realizimi i plotë i Korridorit 8 dhe lidhja me Shqipërinë mbetet prioritet strategjik dhe do të realizohet”, tha Zekolli Shaqiri.
Në ndërkohë, në opinion alarmi është ngritur edhe për largimin nga puna të rreth 50 punëtorëve të angazhuar në ndërtimin e Korridorit 8 për shkak të shkurtimit të fondeve.
Punëtorët janë ankuar se janë larguar nga puna pa paralajmërim paraprak, edhe pse, siç thonë, kanë kontrata të vlefshme. Si arsyetim për largimet u është thënë se shteti nuk ka transferuar fonde për projektin në të cilin kompania punon.
Në ndërkohë nga Bechtel dhe Enka para disa ditëve për MIA kanë deklaruar se projekti vazhdon të shënojë përparim të mirë dhe konfirmojnë se të gjitha faturat janë paguar plotësisht nga Qeveria.
“Sa i përket çështjes së punëtorëve të angazhuar në projekt, është e rëndësishme të theksohet se menaxhimi i fuqisë punëtore është përgjegjësi ekskluzive e konsorciumit realizues. Edhe vetë kompania “Bechtel & Enka” është prononcuar publikisht se çdo riorganizim i stafit është vendim i saj operacional dhe nuk lidhet me detyrime financiare të papërmbushura nga ana e shtetit”, tha zëvendësminitrja Kaltrina Zekolli Shaqiri..
Lidhur me këto çështje, Portalb.mk kërkoi sqarime nga konsorciumi ‘Bechtel dhe Enka’ dhe Qeveria e RMV-së. Kërkuam qëndrim edhe nga Ambasada e SHBA-ve në vend. Por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje nga asnjëri institucion.
Ndryshe, Korridori 8 e lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, ai është pjesë e korridorit më të gjerë evropian të transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor.
