Zëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolovski, ndodhet në Washington ku po zhvillon takime me qeveritarët amerikanë për forcimin e marrëdhënieve ekonomike midis të dy vendeve.
Nikolovski tha se në takimin me Zëvendës-Ndihmës-Sekretarin për Evropën Perëndimore Qendrore dhe Evropën Jugore, Daniel J. Lawton, ka biseduar për “thellimin e lidhjeve politike dhe ekonomike midis dy vendeve, si dhe për partneritetin strategjik”.
Ai në një komunikatë tha se çështjet boshte të bisedimit me Lawton ishin çështjet e energjisë dhe projektet e korridoreve rrugore dhe hekurudhës në Maqedoni të Veriut,
“Diskutuam për koridoret pan-evropiane 8 dhe 10, të cilat kalojnë nëpër Maqedoni dhe janë thelbësor për ekonominë dhe sigurinë e vendit tonë,” tha Nikolovski.
Nikoloski nuk sqaroi se cili ishte rezultati i këtyre bisedimeve të tij me Lawton për këto çështje konkrete.
Ai tha se pret që qeveria e tashmë amerikane të aktivizojë përsëri Dialogun Strategjik midis të dy vendeve.
Sipas zyrtarit të vendit, me Lawton u bisedua poashtu edhe për marrëveshjen tregtare – negociatat për të cilën ende nuk kanë një epilog përfundimtar – dhe e cila siç tha ai do të mundësojë “shumë më shumë boznes, shumë më tepër tregti midis dy vendeve dhe sigurisht partneriteti strategjik që duhet të nënkuptojë prosperitet.”
Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së muajin e kaluar u pajtuan për një kornizë për një marrëveshje tregtare midis dy vendeve.
Sipas kornizës, Maqedonia e Veriut do të eliminojë tarifat doganore për të gjitha mallrat industriale dhe bujqësore të SHBA-së të eksportuara në Maqedoninë e Veriut, ndërsa SHBA-të do të mbajnë një tarifë prej 15% për produktet e vendit të Ballkanit Perëndimor.
Bisedime të mëtejshme për një marrëveshje përfundimtare do të vazhdojnë dhe synojnë heqjen eventuale të tarifave për prodhime të caktuara të Maqedonisë së Veriut të eksportuara në SHBA.
