Është prishur konkursi për përzgjedhjen e drejtorit të ri të Agjencisë për Komunikime Elektronike. Siç mëson TV21, komisioni i formuar për të shqyrtuar kandidaturat, nuk ka arritur në një ujdi për drejtuesin e ri të këtij trupi rregullues, e si pasojë është anuluar i gjithë konkursi.
Kjo vjen pasi në dy javët e fundit ka pasur plot zëra për ndërhyje politike në këtë proces, gjë që bëri që përzgjedhja të shtyhej për disa ditë.
Nga VLEN thonë se ka pasur disa parregullsi në realizimin e procedurave dhe me shumë gjasë ky konkurs mund të përsëritet
“Sipas informacioneve që i kemi, me shumë gjasë ky konkurs mund të përsëritet, sepse ka pasur disa parregullsi në realizimin e procedurave të konkursit, në mënyrë që të evitohen në konkursin e ardhshëm. Me rëndësi është që kjo drejtori të ketë një drejtues që do të mund ta përfaqësojë në mënyrën më të mirë një institucion që është i rëndësishëm jo vetëm për neve si shtet, por edhe për institucionet e këtij tipi të Bashkimit Europian”, thotë VLEN.
Nga ajo që ka raportuar TV21 më herët, mund të theksohet se zgjedhja e drejtorit të AKE-së u shndërruar në mollë sherri brenda anëtarëve të ASH-së që janë pjesë e VLEN-it. Megjithatë, zëdhënësi i koalicionit, Albrim Hoxha, ka mohuar se brenda ASH- t ka ndonjë përplasje për poste.
Sipas kushteve të shpalljes, kandidatët duhet të kenë të paktën pesë vite përvojë në fushën e komunikimeve elektronike dhe të posedojnë certifikata ndërkombëtare të gjuhës angleze, kriter që synon të sigurojë profesionalizëm në udhëheqjen e këtij institucioni rregullator kyç.
