Zëvendëskryeministri dhe ministër për Marrëdhënie Ndëretnike, Ivan Stoilkoviq, është vënë sërish në qendër të kritikave pas vendimit për të suspenduar shtatë administratorë shqiptarë, vetëm pak orë pasi i kishte rikthyer në punë me detyrim nga Komisioni për shqyrtimin e Ankesave në Procedurë Administrative dhe në Marrëdhënie Pune.
Komisioni i shkallës së dytë i Agjencisë për Administratë kishte konstatuar se largimi i tyre nga puna ishte i padrejtë dhe kishte urdhëruar rikthimin në vendet e punës. Megjithatë, sipas burimeve brenda ministrisë, në të njëjtën ditë kur administratorët u paraqitën në punë, atyre u është komunikuar vendimi për suspendim deri në një vendim të ri të Komisionit disiplinor të brendshëm. Komisioni disiplinor përbëhet nga shtatë anëtarë – katër serbë dhe tre shqiptarë, ku njëri prej shqiptarëve është pjesë e kabinetit të ministrit. Sipas të punësuarve në ministri, struktura e këtij komisioni ngre dyshime për paanshmërinë e vendimmarrjes.
“Vendimi i Komisionit është i qartë, por ministri vazhdon të tallet me shovinizmin antishqiptar që ka. Në të njëjtën ditë që u kthyen në punë, të njëjtit u suspenduan dhe për më keq, Komisioni disiplinor ka shumicë punonjësish serb”, thonë për KOHA punonjës në ministrinë e Stoilkoviqit. Ndërkohë, është ndryshuar edhe arsyetimi për masën disiplinore. Në vendimin fillestar, administratorët ishin akuzuar se kishin sjellë dyshekë në zyrë, ndërsa tani akuzohen për dëmtim të karrigeve dhe shndërrimin e tyre në divan për fjetje. Administratorët shqiptarë akuzojnë ministrin për presion sistematik dhe përpjekje për spastrime etnike në institucion.
“Ka shumë nëpunës që e kanë braktisur punën, pasi i ka sistemuar nga qytetet e largëta në Shkup. Dhe, ata që kanë vetëm shkollim të mesëm, nuk kanë llogari financiare të vijnë në punë nga Kërçova, Dibra e Struga. Mobing dhe nënçmim ndodhë për çdo ditë. Asnjë përfaqësues i lartë shqiptarë nuk ka mbetur, pasi ministri e sekretari shtetëror janë serb, ndërsa nuk kemi as zëvendësministër. Nga 20 e më shumë persona jemi në zyra, pa karrige, pa tavolinë e pa kompjuter pune. Edhe vajzat administratore po nënçmohen. Janë strehuar 20 e më tepër në zyrën e Sekretarit shtetëror, një serb gjithashtu i frustruar me shqiptarët”.
Vendimi fillestar për largimin e shtatë administratorëve ishte marrë më 25 dhjetor, ndërsa kabineti i ministrit e kishte arsyetuar publikisht me një video ku shfaqej një divan i improvizuar brenda hapësirave të ministrisë. Në pamjet e publikuara nuk ishin përfshirë kushtet e plota të punës në zyrën ku qëndrojnë mbi 25 punonjës në vetëm 16 metra katrorë, pa karrige, pa kompjuterë dhe pa detyra konkrete pune.
Më 30 janar, Komisioni i shkallës së dytë konstatoi se nuk ekzistonin shkelje nga ana e administratorëve dhe se ministri nuk kishte respektuar procedurat ligjore, duke ndërmarrë masa pa pëlqimin e Agjencisë së Administratës dhe pa paraqitur prova të mjaftueshme. Rikthimi në punë ndodhi 20 ditë pas këtij vendimi, por masa e re e suspendimit e ka rikthyer çështjen në një cikël të ri përballjesh institucionale dhe politike.(koha.mk)
