Gazetari Urim Saliu ka reaguar me kritikë ndaj qëndrimit të koalicionit VLEN lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se përveç Bilall Kasamit, të tjerët kanë zgjedhur heshtjen.
Në një postim publik, Saliu shkruan se Kasami ishte i vetmi që foli hapur për këtë çështje, duke deklaruar se “nuk bëjmë zhurmë, por garantojmë se do ta zgjidhim”, ndërsa pjesa tjetër e VLEN-it, sipas tij, ka qëndruar në heshtje totale.
“VLEN heshti që të gjithë, duke pritur se çfarë do të thotë Mickoski”, shkruan Saliu, duke nënvizuar se kjo pritje e ka zbehur rëndësinë dhe aktualitetin e temës.
Ai shton se tani çdo reagim eventual është i vonuar dhe nuk përbën më lajm, pasi momenti politik dhe mediatik për të adresuar seriozisht problemin ka kaluar.
Reagimi i Saliut vjen në vazhdën e debatit publik për të drejtat gjuhësore dhe qasjen e studentëve shqiptarë në provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, çështje që ka nxitur kritika të shumta ndaj institucioneve dhe aktorëve politikë shqiptarë në pushtet./Zyrtare.net/
