Situatë e çmendur dhe qëndrime politike që kurrë nuk kisha menduar se do t’i dëgjoja për provimin e jurisprudencës nga një politikan shqiptar.
Eksponentët e VLEN-it në pushtet insistojnë se ligji nuk është i qartë dhe nuk përcakton nëse provimi duhet të jepet edhe në shqip. Madje shkojnë aq larg sa thonë se ligji për përdorimin e gjuhëve nuk ekziston.
Sulmuan ambasadorin shqiptar, të cilin Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e obligon të mbrojë interesat e shqiptarëve edhe jashtë kufijve të shtetit amë.
Ndërkohë, Kryeministri thotë se ligji e sanksionon qartë këtë çështje dhe se, nëse dikush kërkon që provimin ta japë në gjuhën shqipe, kjo duhet t’i mundësohet.
Problemi nuk është te ligji, por te pasiguria e partisë në pushtet. Janë aq të kujdesshëm me deklaratat publike, për të mos e nervozuar shefin, sa që janë të gatshëm të mohojnë edhe atë që është e shkruar në ligj.
Menjëherë pas deklaratës së Kryeministrit, u bënë të gjallë duke marrë meritat për një gjë që e kishin para syve, por që nga frika nuk guxonin ta shihnin.
Mosni, o njerëz, se pushteti është i përkohshëm. Mosni, se do të vijë dita kur njerëzit do t’ju pështyjnë në fytyrë në rrugë.
Derisa ne po flasim për një të drejtë bazike, siç është përdorimi i gjuhës amtare:
-Nuk kemi zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes.
-Ligji për balancerin nuk është askund.
-Kultura shqiptare po masakrohet.
-Po ndodh pastrim i madh i shqiptarëve nga strukturat e sigurisë.
-Në sektorët që përcaktojnë politikat ekonomike nuk ka zë shqiptar.
-Mbi politikën e jashtme ka vendosur monopol Mickoski.
-Eurointegrimet janë të bllokuara.
-NATO kërkon largimin e personave që janë në majat e hierarkisë së ushtrisë.
-VMRO-DPMNE po bëhet gati të vendosë në pozitën e prokurorit republikan një njeri të regjimit.
-Kur kaloni kufirin në Bllacë dhe Qafë Thanë, e kuptoni gjendjen në dogana.
Mos e mashtroni popullin me arsyetimin: “Çfarë ka bërë BDI në 20 vitet e kaluara”.
Kot është, kur për vetëm një vit qeverisjeje i amnistuat komplet.
Që nga fillimi i mandatit të kësaj qeverie, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, provokon pa ndalur dhe hap tema etnike. Urdhëroni, dorëzoni interpelancë në Kuvend pa konsultime me shefin Mickoski. Tregoni se çështja e provimit ishte vetëm një moment hutie dhe se keni politikë autentike, ku vendimet i merrni vetë.
Jo o taj, a?
